Çmitizimi i Skënderbeut konsiderohet varfërim i identitetit të shqiptarëve

Çmitizimi i Skënderbeut konsiderohet varfërim i identitetit të shqiptarëve

21 qershor 2018 12:03

Prishtinë, 21 qershor – Thirrja kundër çmitizimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut – figurë historike që u bë mit edhe nga gojëdhënat, historiografia, letërsia e artet – u adresua nga tubimi që mblodhi studiues nga Kosova e Shqipëria, në konferencën shkencore që u hap në Prishtinë.

Akademik Rexhep Qosja ka thënë se çmitizimi i heroit kombëtar – një përpjekje kjo e disa historianëve, studiuesve e shkrimtarëve – do të ishte varfërim i identitetit kolektiv dhe do ta dobësonte fuqinë e përbashkësisë së historisë shqiptare.

Heroi më me nam në gjithë shqiptarinë, u nderua edhe njëherë të mërkurën, në atë që u titullua “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij”, konferencë shkencore dyditore në 550-vjetorin të vdekjes së tij.

Punimet e saj vazhdojnë edhe sot (e enjte).

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në punimin “Skënderbeu nga pikëpamja ushtarake” tha “Ka qenë udhëheqësi më i lavdishëm i popullit tonë në periudhën më të vështirë të historisë shqiptare. Si pasardhës të tij, ne jemi krenarë që po përkujtojmë figurën e tij madhështore”, ka thënë Moisiu.

“Atlet i Krishtit apo fatos i lirisë” nga Pëllumb Xhufi, “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu udhëheqës e komandant fitimtar dhe strateg me vizion të gjerë” nga gjeneral Kudusi Lama, “Vendosja e sundimit osman në Shqipëri dhe fillet e kryengritjes së Skënderbeut” e Iljaz Rexhës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Dardania” nga Lulëzim Lajçi ishin disa prej kumtesave të prezantuara të mërkurën. Pjesëmarrës në konferencën shkencore në ditën e parë ishin edhe Etleva Lala, Sadri Fetiu, Shyqri Nimani, Qerim Dalipi, Anton Panchev e të tjerë. Leximit të kumtesave i paraprinë fjalimet.

I pari që mori fjalën qe Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, i cili përmendi se si para 50 vjetësh, në 500-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, pikërisht ky institucion kishte mbajtur simpozium shkencor për Skënderbeun.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, Marenglen Verli, e ka quajtur Skënderbeun kampion të madh e emblemë të luftës, që ka shumë ngjashmëri me emblemën e paqes e mirësisë – nobelisten shqiptare Shën Tereza.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu jeton në botën shkencore edhe 550 vjet pas vdekjes së tij (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme