Arkitektja Patrisa Pruthi prezanton Kosovën në Muzeun e Artit Modern në New York

Arkitektja Patrisa Pruthi prezanton Kosovën në Muzeun e Artit Modern në New York

20 qershor 2018 08:30

Në MoMA – Muzeun e Artit Modern të New Yorkut, prej 15 korrik 2018 deri më 13 janar 2019 do të shfaqet ekspozita: Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980 (Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948 – 1980).

Arkitektja kosovare Patrisa Pruthi, studente e dalluar e “The Cooper Union School of Architecture”, universitetit më prestigjioz të arkitekturës në New York, do të prezantojë më 10 korrik punimin e saj për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Muzeun e Artit Modern në New York.

Pjesëmarrja e Patrisa Pruthit do të thotë shumë për shtetin e Kosovës, meqenëse për herë të parë një monument kosovar prezantohet në një muze prestigjioz si MoMA.

Modeli i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës i përzgjedhur në mesin e shumë monumenteve të tjera nga Ish-Jugosllavia, do të gjejë vend në MoMA nga 10 korriku 2018 deri më 13 janar 2019.

“Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948-1980” prezanton për herë të parë punën e jashtëzakonshme të arkitektëve kryesorë të Jugosllavisë socialiste në një audiencë ndërkombëtare, duke theksuar një trup të rëndësishëm arkitektural modernist, kontributet e të menduarit progresiv që rezonojnë edhe sot.

Ekspozita eksploron temat e urbanizimit në shkallë të gjerë, teknologjisë në jetën e përditshme, konsumizmit, monumenteve dhe memorializimit, si dhe arritjen globale të arkitekturës jugosllave.

Ekspozita përfshin më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe video nga një koleksion arkivash komunalë, koleksionesh familjare dhe muzeve në të gjithë rajonin, si dhe përmban punën e arkitektëve të rëndësishëm, duke përfshirë Bogdan Bogdanoviq, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radević, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe Milica Šterić.

Nga brendësia skulpturore e Xhamisë së Bardhë në Bosnjën rurale, deri tek rindërtimi i qytetit të Shkupit në bazë të dizajnit Metabolist të Kenzo Tange, si dhe stili unik i ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjaković, ekspozita shqyrton vargun unik të formave dhe mënyrave të prodhimit në arkitekturën Jugosllave dhe karakterin e saj të veçantë, por shumëdimensional.

Ekspozita është organizuar nga Martino Stierli – Krye-kuratori i Arkitekturës dhe Dizajnit, Philip Johnson, në Muzeun e Artit Modern dhe Vladimir Kulić, kurator i ftuar, Anna Kats, asistente kuratore, Departamenti i Arkitekturës dhe Dizajnit, Muzeu i Artit Modern.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme