Kulturë

Portrete në dialog për sfidat dhe shkëlqimin e gruas shqiptare, në galerinë “Monet”

Përballja e grave nëpërmjet portreteve në hapësirë jo fort të madhe krijon ambientin e një dialogu goxha intim. Në njërën anë gjenden punimet ku paraqiten gra me plot ngjyra që shkëlqejnë e duken krenare.

Teknikat e kombinuara të Mjellma Goranci-Firzit sjellin portretet e grave që në shikim të parë duken tejet të përkëdhelura e fort të lumtura, shkruan sot “Koha Ditore”. Ngjyrat e ndezura e dekorimet që kanë u japin atyre një pamje që i bën të shkëlqejnë. E veprat e Shqipe Kamberit ofrojnë një tjetër linjë estetike. Janë portrete ku ngjyra e bardhë është e pakonkurrencë.

Mbështjellja e kokës si formë tradicionale shqiptare aplikohet tek të gjitha. Por për dallim prej ekspozitës së Kamberit, “Vetëdija - dikur dhe sot” − që në nëntor të vitit të kaluar ishte hapur në Muzeun e Kosovës, ku trajtohej gruaja si peng i Kanunit e traditave shtypëse të së kaluarës − ajo tashmë vjen me forma të ngjashme por me krejt tjetër përmbajtje konceptuale. Ato janë imazhet e të suksesshmeve.

Kësisoj, për dy javë ekspozita që është hapur të hënën në galerinë “Monet” në Prishtinë i ofron publikut vepra që pos anës estetike shpërfaqin edhe sfidat e grave.

{gallery}

Mjellma Goranci-Firzi ka vite që e trajton këtë temë. Ka thënë se është bashkuar me kolegen e saj në këtë ekspozitë pasi e ka parë një dialog midis veprave të tyre.

Me sukseset e grave pavarësisht sfidave merret edhe Shqipe Kamberi. Ajo ka kujtuar se para shtatë muajsh publikut i ishte paraqitur me gratë e diskriminuara, e tash vjen me ato të emancipuara... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)