Kulturë

Arkitektëve kosovarë u hapen dyert për çmimin prestigjioz evropian

Arkitektëve të Kosovës u janë hapur dyert që të nominohen për çmimin më prestigjioz të arkitekturës në Evropë.

Çmimi i Unionit Evropian për Arkitekturë Bashkëkohore “Mies van der Rohe” e ka bërë vendin pjesë të shteteve që nominojnë projekte arkitektonike. Shpërblimi “Mies van der Rohe” ndahet për çdo dy vjet dhe shpërblen projektet më të mira në Kontinentin e Evropës dhe qëllimi kryesor i tij është ta promovojë cilësinë e arkitekturës evropiane. Edicioni i radhës mbahet më 2019, shkruan sot “Koha Ditore”.

Nga çdo shtet nominohet një numër i caktuar i projekteve. Nominues për Kosovën është emëruar udhëheqësi i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës, Bekim Ramku.

Ai ka folur për përfitimet dhe mënyrën sesi arkitektët kosovarë do të mundë të bëhen pjesë e çmimit prestigjioz që mban emrin e arkitektit gjermano-amerikan, Ludwig Mies van der Rohe (1886-1969), pionier i arkitekturës moderne.

“Arkitektët e Kosovës do të ftohen që t’i propozojnë objektet e tyre për këtë shpërblim (ato të cilat plotësojnë kushtet kohore të ndërtimit/shfrytëzimit). Më pastaj nominuesi mund t’i dërgojë dosjet e më së shumti 5 projekteve tek sekretari i shpërblimit: më pas të gjitha projektet e nominuara do të filtrohen në 2 komisione vlerësuese, të cilat edhe do të përzgjedhin fituesin”, ka shpjeguar Ramku.

Sipas tij, rëndësia e bërjes pjesë në një shpërblim të tillë për arkitektët kosovarë është tejet e madhe... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)