Fajëson policinë dhe kërkon kompensim nga ajo për veturën e copëtuar për pjesë në një auto sallon

Fajëson policinë dhe kërkon kompensim nga ajo për veturën e copëtuar për pjesë në një auto sallon

23 May 2018 19:44

Për veturën e tij në vlerë mbi 20 mijë euro, që e gjeti të copëtuar në një sallon ku shiten pjesë veturash, një person po synon të kërkojë kompensim nga policia, pasi sipas tij, nuk intervenuan me kohë, raporton KTV .

Derisa policia po kërkon të përfshirët në një skemë të mundshme mashtrimi, rasti ndodhet edhe në Departamentin e Hetimeve të Inspektoratit Policor.

Për veturën BMW të modelit GT, Valdet Bojaj thotë të jetë marrë vesh me Mursel Berishën për t’ia shitur dhe ia kishte dhënë veturën, por jo edhe dokumentet, pa i marrë paratë.

Pasi për muaj thotë të jetë zvarritur nga Berisha, Bojaj, që është në biznesin e ndërtimeve, kishte filluar ta kërkojë veturën në vlerë mbi 20 mijë euro dhe e kishte gjetur në një sallon ku shitej për pjesë.

Ai, pasi ishte siguruar për veturën, thotë të ketë kërkuar ndihmë në Stacionin e Policisë në Vushtrri, por nuk kishte marrë.

Bojaj thotë se i është drejtuar menjëherë Inspektoratit Policor dhe Policisë në Prishtinë por ata kishin mbërritur vonë, pasi vetura tashmë ishte e copëtuar.

KTV-ja ka qëndruar edhe në sallonin ku ishte gjetur vetura, por nuk kanë pranuar të flasin para kamere.

Një person i prezantuar si pronar i këtij biznesi, ka thënë se e kanë blerë veturën nga një auto sallon dhe se për këtë ngjarje ka dhënë deklaratë në polici.

Policia e Kosovës, për këtë ngjarje, javën e kaluar, kishte arrestuar 3 persona.

“Pas ankesës së V.B., me datë 14 maj në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, është iniciuar rasti ‘mashtrim’. Lidhur me këtë rast, policia ka identifikuar 4 persona si të dyshuar, prej të cilëve i ka arrestuar 3, derisa janë në kërkim të personit të katërt”

Në mesin e të arrestuarve nuk ka qenë Mursel Berisha, i cili sipas policisë, është në kërkim.

Ai është kontaktuar nga KTV-ja javën e kaluar dhe ka thënë se në fillim të kësaj jave do të japë versionin e tij por nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Në anën tjetër, rast është hapur edhe në Inspektoratin Policor, që sipas një përgjigjeje të këtij institucioni, nga data 17 maj, rasti është transferuar në Departamentin e Hetimeve.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme