Kronikë

Zhytësi Kasumi tregon si erdhën deri te gjetja e trupit të policit Malësor Dashi

Pas gjashtë ditësh kërkim për trupat e dy policëve të zhdukur në lumin Lepenc, Malësor Dashit dhe Armend Trenas, sot është gjetur trupi i pajetë i Malësorit. Trupi i tij u gjet rreth 5 km larg vendit ku të shtunën u aksidentuan të dy policët.

Në operacionin e kërkimit të trupave të tyre, morën pjesë edhe zhytësi Ismail Kasumi me fëmijët e tij.

Ismail Kasumi, në Interaktiv të KTV-së tha se me ftesë të Policisë së Kosovës, dhe kryetarit të Hanit të Elezit, Rufki Suma, ai ka shkuar atje.

“Në momentin e parë që kam shkuar, e kam kërkuar vendin ku ka rënë makina. Kam kërkuar ta shoh edhe makinën por policia s’na la. Lepenci nuk e kishte më shtratin si dikur, kishte mbeturina e rrjedhë. Por deshi fati që edhe zhytësit e FSK-së ndihmuan me litar dhe hasëm në trupin e pajetë të policit”, tha Kasumi.

Kasumi shtoi se me eskivator kanë gjurmuar në vendin ku dyshonin se ishin trupat e policëve. “Ka qenë një kënaqësi kur e pamë trupin e të ndjerit. Aty gjendej kufoma sepse s’kishte mundësi të depërtohej më poshtë. Shpresojmë që shpejt ta gjejmë edhe trupin e tjetrit”, tha ai.

Ai në Interaktiv tha se është njeri i parë në Kosovë që ka zbuluar një aparat të zhytjes, prandaj edhe e njeh shumë mirë këtë profesion. “Jam në moshën thuajse 70 vjeçare, mbase s’jam i njëjtë t’i përballojë të gjitha valët, por me këshilla të mia u gjet trupi i policit”, tha Kasumi, duke treguar se këshilla u ka dhënë fëmijëve të vet dhe të gjithë pjesëmarrësve tjerë në operacionin e gjetjes së trupave.

Kasumi tha se nuk është ende i sigurt se a do të marrë pjesë nesër në kërkimin e trupit të policit tjetër të zhdukur, por shtoi se këshillat e tij duhet të dëgjohen. Ka thënë se ishte i bindur që trupat e dy policëve gjendeshin në Kosovë, e jo në pjesën e Maqedonisë.

“Po ju them me plotë vetëdije se s’ka mundësi që as trupi i policit tjetër të dalë në pjesën e Maqedonisë. E kam ditë edhe për trupin që sot u gjet. S’ka rrethana që trupi të shkojë në atë pjesë”, tha Kasumi.

Kasumi po ashtu tregoi se i njeh mirë të gjithë lumenjtë duke pasur parasysh përvojën që ka dhe e di mirë edhe si rrjedhin ata.

Ai foli edhe për kritikat që mori edhe nga të tjerët e kryeministri Ramush Haradinaj, por thotë se s’e beson që mund ta ketë thënë kryeministri. Kujtojmë se dje Haradinaj i ka thënë Kasumit të mos u bëjë presion të tjerëve në punën që po bëhet.

“Nuk e di nëse ka thënë ai, as s’muj me besu se me këto duar i kam nxjerrë 548 kufoma prej lumenjve të ndryshëm. Jam solidarizuar me popullin tem. Kam kolegë që më thonë pse s’ke zyre tënden. Por unë jam i pensionuar, sportet e mia kanë qenë zhytja e noti. Megjithëse sot e lexova atë që e tha kryeministri por s’po muj me besu. Kam pritë që më bëjnë ftesë institucionet. Naim Rexha dhe Refki Suma, ishin të vetmit që më telefonuan. Kam shkuar edhe mos të më kishin thirrur. Kisha shkuar edhe të solidarizohem me familjet që humbën dy djemtë e tyre”, tha ai.

Për mënyrën e menaxhimit nga institucionet e Kosovës për këtë rast, Kasumi tha se duhet konsideratë më e madhe.

“Dy policët kanë qenë në detyrë të shtetit, duke kryer obligime shtetërore. Institucionet duhet të kenë një konsideratë pak më të madhe dhe kujdes pak më të madh”, tha ai.

Tutje ai ka folur edhe për profesionin e tij, këtë punë që thotë se di mirë ta menaxhojë, madje edhe s’i ka ardhur deri sot.

“Unë kam lind në Dukagjin. Kam qenë duke u mbytur si fëmijë në Bistricë”, tha ai, duke treguar se si nga ajo kohë nëna e tij i kishte kërkuar të mos hyjë në ujë, por duke e parë dëshirën e tij të madhe, i kishte lënë amanet të mos marrë para nga askush kur u ndihmon në gjetje të trupave, e për këtë ai thotë se “tani solidarizohem me të gjithë njerëzit”.

Kasumi tha se numri i rasteve të zhdukjes së njerëzve në pishina, lumenj etj, ka rënë dukshëm në Kosovë.