Kronikë

Kosovari i vrarë në Francë ishte nga Gjakova, dorasi një algjerian

Në mbrëmjen e së mërkurës në Mulhouse të Francës është vrarë një shqiptar, i cili është qëlluar me pushkë nga një fqinj i tij.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:45 në një ndërtesë të vogël banimi në rrugën “Rue des Juifs”, në lagjen Dornach.

Ndërkohë, burime nga albinfo.ch, bëjnë të ditur se i vrari është S. N. nga Gjakova, dhe që ka jetuar që 19 vjet në Francë, derisa autori i krimit është një algjerian, i cili ndodhet ende në arrati, derisa për policinë franceze është i njohur.

S. N. ka lënë pas tij gruan, dy djem të moshës 6 dhe 4-vjeçare, si dhe një vajzë 2-vjeçare. Ai ishte larguar gjatë luftës nga Kosova, derisa ishte me profesion ujësjellës, dhe ju ka ndihmuar shumë shqiptarëve për të gjetur punë dhe për t’u integruar.

Fqinjët dhe familjarët tregojnë se ai ishte një patriot i madh.

Algjeriani e ka qëlluar në gjoks, dhe shqiptari nuk ka arritur t’iu shpëtojë plagëve.

Autori e kishte qëlluar me tre plumba në sy të familjes, gruas dhe fëmijëve. Menjëherë pas ngjarjes është lajmëruar ambulanca të cilin e ka dërguar në spital.

Mjekët, në Mulhouse, ia kanë hequr dy plumba nga trupi, ndërsa plumbi i tretë i kishte prekur zemrën gjë që ka bërë që të mos i mbijetojë plagëve të marra.

Autoritet franceze, kanë bastisur shtëpinë e dorasit, duke gjetur armë, pasaporta të ndryshme.

Gjithashtu sipas një të afërmi të tij, ai ishte ankuar disa herë në polici për fqinjin e tij, por asnjëherë kërkesa e tij nuk ishte marrë seriozisht.