Kronikë

Biznesmeni tenton të vetëdigjet, nuk do që telat e rrymës të kalojnë mbi pronën e tij

Një bisnesmen ka tentuar t’ia vë vetes flakën pasi gjykata i ka refuzuar propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, që përçues të tensionit të lartë të rrymës të mos kalojnë mbi pronën e tij.

Gjykata Themelore në Gjilan – dega në Kamenicë – më 18 prill të këtij viti kishte vendosur të refuzojë propozimin për këtë masë të sigurisë dhe nuk ka lejuar ankesa ndaj aktvendimit.

Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, A.B., pronar i fabrikës së ujit “Kika” në fshatin Poliqk të Kamenicës, sot ka bllokuar rrugën me një ekskavator me qëllim që të pengojë zhvillimet e punëve dhe më pas me një bidon me benzinë duke e derdhur afër ekskavatorit dhe vetes ka tentuar me shkrepës që ta ndezë të paktën dy herë benzinën.

Policia ka thënë se me këtë rast është njoftuar prokurori i cili ka urdhëruar të bëhet kallëzim penal për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “mospërfillje e gjykatës” dhe i ka caktuar të njëjtit masën e ndalimit prej 48 orëve.