Kronikë

Në 3 muaj në Shqipëri u kapën 21 tonë drogë e u arrestuan 42 veta

Në tremujorin e parë të 2017-ës, policia italiane, greke dhe ajo shqiptare ka sekuestruar mbi 21 ton drogë teksa tentohej të trafikohej në vendet e Europës. Kjo shifër e cila sa vjen e rritet më tepër, ka shfaqur shqetësime në Policinë e Shtetit por edhe ato të vendeve fqinje, shkraun Shekulli.

Madje, në raportet e DASH dhe Europol thuhet se vendi ynë mbetet një rrugë trafiku droge për vendet e tjera, çka ka alarmuar zyrtarët e lartë të Policisë, por jo vetëm. Sasitë e larta droge që vijojnë e kapen dita-ditës duke u trafikuar jashtë Shqipërisë, kanë ndikuar edhe te krerët e qeverisë shqiptare. Po ashtu, ky fenomen shqetësues ka prekur më së shumti edhe autoritetet italiane, pasi sasia më e lartë e lëndës narkotike kapet në Itali. Sasitë e kapura janë nga më të ndryshme, ndërsa shpeshherë kalojnë edhe sasinë prej 1 ton. Kohët të fundit, Policia ka deklaruar se ka fituar betejën me kultivimin apo ndalimin e trafikut të drogës, por kapja e kësaj sasie droge tregon tjetër gjë.

Problematikë kryesore mbetet trafiku i lëndës narkotike jashtë Shqipërisë. Për 3-mujorin e parë të vitit 2017, numërohen rreth 42 persona që janë kapur nga policia shqiptare apo të vendeve fqinj, duke trafikuar drogë. Kjo e fundit prejardhjen në çdo rast e ka pasur nga Shqipëria. Ndërsa shifra e kapur e lëndës narkotike nga autoritetet vendase, italiane apo greke, është rreth 21 ton e 686 kilogramë lëndë narkotike. Nga kjo sasi, 4 kilogramë është heroinë, ku 2 kilogramë është tentuar të kalohet nga dogana në Kakavijë dhe 2 kilogramë nga Porti i Durrësit. Kjo sasi droge është kapur vetëm në 23 operacione të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Guarda di Finazza dhe autoritetet greke.

Në Itali

Trafiku i drogës në drejtim të vendit fqinj, në Itali, është bërë shqetësues edhe për autoritet italiane. Këto të fundit, në disa deklarata kanë bërë të ditur se shumica e drogës që është kapur në Itali ka prejardhjen nga Shqipëria. Në këtë tre mujor (janar-mars), në disa raste sasia e kapur e lëndës narkotike ka kaluar 1000 kilogramë. Ndërsa sasia më e madhe e kapur është 8 tonë kanabis-sativa, e cila u kap disa ditë më parë në Itali. Kjo sasi e madhe droge u bllokua nga Guardia di Finanza në zonën e Venezias, Itali. Droga ka zbritur në Portin e Ankonës nga një traget të nisur nga Shqipëria e ngarkuar në një kamion i mbuluar vetëm me polisterol. Droga kishte kaluar qetësisht edhe Portin e Ankonës, por shoferi maqedonas i kamionit e kishte ndaluar atë në një pikë servisi. Në këtë superoperacion morën pjesë GDF e Ankonës dhe kolegët e tyre të Venecias. Mediat thonë se autoritetet e kishin pikasur drogën që në port, por e lejuan të dalë për të kapur edhe bashkëpunëtorët. Por, në pranga përfundoi vetëm shoferi i kamionit ku ishte ngarkuar droga. Ndërkohë, lidhur me këtë rast të pazakontë trafiku droge të një sasie të lartë, në vendin tonë janë vënë në pranga katër punonjës dogane. Burimet janë shprehur se këta punonjës, kanë kaluar kamionin ku ishte e ngarkuar sasia prej 8 tonë drogë pa e skanuar atë, duke bërë më pas që lënda narkotike të trafikohej jashtë.

Por cilat janë rrugët që ndjekin trafikantët e drogës?

Rastet më të shumta që janë kapur nga policia, janë ato të trafikut të lëndës narkotike nëpërmjet ujërave detare. Ndërsa mbizotëron zona e Vlorës, pasi sipas burimeve, trafikantët bëjnë një rrugë më të shkurtër për të shkuar të paktën deri në Bari. Sasi të shumta droge, mbi 1 ton, ngarkohen nëpër gomone apo skaf dhe trafikohen më pas në drejtim të Italisë. Por nuk janë të pakta rastet kur Guarda di Finanzza ka rënë në gjurmët e trafikantëve. Ajo është vënë në ndjekje të tyre, duke vënë më pas në gracë trafikantët shqiptarë apo të huaj. Në disa raste, ata e kanë hedhur lëndën narkotike në det për t’i shpëtuar policisë. Madje, nuk kanë munguar as rastet kur në det janë hedhur edhe vet trafikantët, duke lënë në gomone sasinë e drogës që kishin ngarkuar më parë në Vlorë. Një problematikë për trafikun ndërkombëtar të drogës mbetet edhe Porti i Durrësit, pasi prej aty janë kapur kamionë të mbushur me lëndë narkotike. Ndërkohë, nuk ka munguar as trafiku i drogës përmes doganave shqiptare, kryesisht në Kakavijë. Por, në këto rrugë kapen sasi më të vogla se në ato ujore.

Operacioni

1 ton e 323 kilogramë kanabis është kapur dje në aksin rrugor drejt Zvërnecit. Policia e Vlorës fillimisht ka pikasur dy automjete dhe një mjet lundrues në aksin rrugor Triport-Zvërnec, të cilët dyshoheshin se po transportonin lëndë narkotike. Kur kanë dalluar se po ndiqeshin nga blutë e Vlorës, personat kanë braktisur mjetet duke përfituar nga errësira dhe janë larguar me qëllim për t’u fshehur policisë. Nga kontrolli i ushtruar, shërbimet kanë konstatuar një makinë tip “Fuoristradë”, që po tërhiqte një gomone me 3 motora “Mërkuri” 350 KF secili. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tjetër, një furgon me targë AA 822 DE, u konstatua një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike, e cila ishte e ndarë në 52 paketime me mbështjellje plastike dhe 10 çanta sportive, me kanabis. Vijojnë hetimet dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale. Sakaq, burime nga policia bënë të ditur se lënda narkotike e kapur, dyshohet se do të trafikohej në Itali me gomone.

Niko Peleshi: Plan anti-kanabis përfshihet ushtria

Pas shifrave të mëdha të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, qeveria ka miratuar dje planin kombëtar kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit për 2017-2020. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, gjatë një deklarate për shtyp, paralajmëroi ndëshkime ndaj zyrtarëve që do të neglizhojnë detyrimet tyre. “Theksi kryesor i planit kombëtar kundër kanabisit është përpjekja e përbashkët ndërinstitucionale për goditjen e gjithanshme, frontale që ka për qëllim identifikimin, zbulimin dhe shkatërrimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale që janë aktive në fushën e kultivimit dhe të trafikimit të kanabisit”, tha Peleshi. Ndërkohë, duke filluar nga ky vit Policia e Shtetit, organet ligjzbatuese dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë lidhje, do të angazhohen në një operacion të gjerë dhe të kombinuar, që do të sigurojnë identifikimin e hershëm dhe goditjen që në gjenezë të përpjekjeve për kultivim apo trafikim. Në shërbim të këtij operacioni, në përbërje të Task-Forcës Qendrore dhe Task-Forcave Lokale, do të jenë kapacitetet e Policisë së Shtetit, të shërbimeve inteligjente, të ushtrisë, të bujqësisë, të mjedisit, të shëndetësisë, ato të pushtetit vendor, partnerët ndërkombëtarë etj. “Plani parashikon masa serioze ndaj të gjithë zyrtarëve të nivelit qendror dhe lokal, të cilët nuk arrijnë të mbajnë në administrim e kontroll efektiv territorin për të cilin janë përgjegjës. Po ashtu, një proces vlerësimi dhe “Vetting-u”, ndaj zyrtarëve me përgjegjësi në këtë fushë do të shoqërojë procesin e zbatimit të planit. Identifikimi dhe sekuestrimi i aseteve të krijuara nga veprimtaritë kriminale është një kriter i rëndësishëm për të matur shkallën e suksesit në përballjen me fenomenin e kanabisit”, vijoi më tej zv/kryeministri. Përveç theksit goditës kundër grupeve, rrjeteve dhe financave kriminale që nxisin dhe organizojnë kultivimin dhe trafikimin, Plani i kushton një rëndësi të veçantë masave që kontribuojnë në shkurajimin e qytetarëve për t’u përfshirë në veprimtari të paligjshme në këtë fushë. “Një paketë shumë e gjerë masash që synojnë ndërgjegjësimin publik, nxitjen dhe mbështetjen e veprimtarisë ekonomike të ligjshme në zonat dhe komunitetet e prekura, lehtësimin e barrës fiskale dhe mbështetjen sociale për individët dhe komunitetet nën risk është përcaktuar në Planin Kombëtar kundër kanabisit”, shpjegoi Peleshi.

Çako: Strategji kombëtare kundër kanabisit

Teksa ndodhej në një takim sensibilizues të organizuar nga strukturat vendore të qytetit të Vlorës, drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako ka thënë se këtë vit do të ketë një strategji kombëtare kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Çako ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha strukturave për të luftuar pikërisht ndaj këtij fenomeni mjaft problematik, kryesisht në zonën e Vlorës dhe fshatrat e saj, zonë e cila për nga karakteristikat mbetet mjaft e preferuar nga kultivuesit. Pavarësisht angazhimit të strukturave vendore dhe policisë gjatë vitit 2016, duhet thënë se nuk u arrit që kultivimi i bimëve narkotike të zerohej, duke e cilësuar një problem madhor dhe kjo do të thotë se synimi mbetet që ky fenomen, në bazë të strategjisë kombëtare, të çrrënjoset. “Dua të kërkoj bashkëpunimin dhe angazhimin e të gjithëve për të luftuar këtë fenomen. Policia e Shtetit ka të gjitha informacionet e nevojshme rreth zonave ku preferohet kultivimi apo personave të përfshirë, ndërsa duhet kuptuar se toleranca do të jetë zero”, është shprehur Çako.

Çipa: Kultivimi në Gjirokastër është shqetësues

Deklaratës për kultivimin e lëndës narkotike, nuk i ka rezistuar as kreu i Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa. Teksa ndodhej në një takim në Gjirokastër, ai tha se policia duhet të drejtojë sytë nga vetja dhe të ndëshkojë efektivët që favorizojnë kultivimin. “Pavarësisht se gjatë vitit 2016 janë marrë të gjitha masat nga Policia e Shtetit për të evidentuar, për të goditur dhe për të identifikuar autorët e kultivimit të kanabisit, shihet një rritje në Qarkun e Gjirokastrës me 7.2 herë më shumë sesa gjatë vitit 2015. Duhet të evidentojmë ata punonjës policie, sepse ne duhet ta fillojmë punën nga pastrimi i radhëve policisë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale, për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale dhe pastaj të kërkojmë tek institucionet e tjera bashkëpunimin konkret dhe transparent”, tha Ardian Çipa. Ndërkohë, përfaqësuesi i PAMECA-s, Gilles Loçhi tha se 30% e sasisë së asgjësuar në vitin 2016 ishte vetëm në rrethin e Gjirokastrës dhe 50% e sasisë së kultivuar vinte nga fara e re. Në takim u tha se, me gjithë aksionet e policisë, sipërfaqja e mbjellë është shtuar në Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Lunxhëri, Cepo, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë dhe rrethinat e tyre.

Rama-Peleshit: Keni përgjegjësi, mos u justifikoni

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama ka replikuar dje me zv/kryeministrin Niko Peleshi, pas deklaratës së këtij të fundit se qeveria do të luftojë ashpër kultivimin e kanabisit gjatë këtij viti. Në një prononcim në media, Luan Rama ka akuzuar për tolerimin e kultivimit të kanabisit. Nënkryetari i LSI i kujtoi Niko Peleshit se pas 4 vitesh në pushtet, është justifikim të deklarosh akoma se kanabisi është një çështje e trashëguar, kur në fakt duhej të ishte luftuar. Për këtë arsye, sipas Luan Rama, mazhoranca mori votat në vitin 2013 dhe jo për t’u justifikuar në përfundim të mandatit qeverisës.