Kronikë

Arrestohen në Prishtinë e Gjakovë 5 persona për kontrabandim të migrantëve, falsifikim të dokumenteve dhe shmangie nga tatimi

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e shtetit, pas hetimeve intensive të kryera lidhur me veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, që në vazhdimësi merreshin me kryerjen e veprave penale të ‘kontrabandimit të migrantëve’, ‘falsifikimin e dokumenteve’ dhe ‘shmangie nga tatimi’, ka realizuar një operacion policor, që ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar.

Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, me datën 11 prill 2018 në rajonin e Prishtinës (në pesë lokacione), dhe Gjakovës (në një lokacion), është kryer kontrolli i shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, pronë e të dyshuarve, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve.

Personat e arrestuar në këtë rast janë: Sh. Sh., lindur me 1961, I. S., lindur me 1974, N. B., lindur me 1966, Xh. N., lindur me 1962 dhe lindur me 1987, që të gjithë shqiptarë të Kosovës.

Ndërsa janë sekuestruar si prova materiale 2 armë të gjata, 5 armë të shkurta kalibri i ndryshëm, 175 fishekë kalibër të ndryshëm, 4 vula të firmave të ndryshme, 2 pasaporta dhe dokumente të tjera që vlejnë për procedurë të mëtejme gjyqësore.

Personat e dyshuar, në bazë të urdhrit të prokurorit, dërgohen në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.