Kronikë

Bastisje në veri, merr pjesë edhe Njësia Speciale e Policisë

Descriptive Text

Departamenti i Hetimeve Tatimore (DHTI) dhe Inteligjencës sot në mëngjes ka zhvilluar një aksion kontrolli bastisje në Zubin Potok, në katër lokacione nën dyshimin se janë kryer veprimtari të kundërligjshme - transaksione fiktive.

Aksioni është zhvilluar me sukses dhe pa ndonjë problem, ku në mbështetje të zyrtarëve të DHTI-së kanë qenë Njësia Speciale. Aksioni është zhvilluar me autorizim të prokurorit.

Sipas informacioneve të para nga tereni që ka siguruar Policia, janë gjetur disa dëshmi se personat dhe subjektet e caktuara janë marrë me veprimtari të kundërligjshme - lëshimin e faturave fiktive.

“Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova materiale, si: USB dhe dokumentacion tjetër që dëshmojnë shmangie tatimore, vlera e faturave fiktive të lëshuara dyshohet të jetë mbi 4 milionë euro”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin për të parandaluar dhe luftuar ekonominë jo-formale. Kjo është bërë duke hartuar dhe zbatuar një sërë ligjesh shtetërore në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duke krijuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë jo-formale.

Administrata Tatimore i fton të gjithë bizneset dhe qytetarët që ushtrojnë çfarëdo aktiviteti afarist, t`iu përmbahen kërkesave ligjore në fuqi, të deklarojnë dhe paguajnë me kohë tatimet sipas ligjeve në fuqi, në mënyrë që mos të jenë pjesë e masave ndëshkuese penale, të konfiskimit dhe sekuestrimit te pasurisë.