Intervistohen personat që ishin ulur me policin e vetëvrarë në kafene

10 April 2018 20:20

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vetëvrarë mbrëmjen e së hënës në Gjilan. I ndjeri ishte pjesë e Policisë Kufitare, raporton KTV.

Aktin dyshohet se e ka kryer me armën e tij zyrtare në hapësirat e një kafeneje në këtë qytet. Prokuroria është duke e hetuar rastin.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Bekim Ismajli nga Gjilani, i ka dhënë fund jetës së tij të hënën rreth orës 18:00.

Ngjarja ka ndodhur në një kafene në lagjen “Dheu i Bardhë”, të këtij qyteti.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, trupi i pajetë i të ndjerit është marrë për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Prokuroria në Gjilan ka ndërmarrë veprimet e para për rastin.

Deri tash, siç ka bërë të ditur kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, janë intervistuar personat që ishin ulur në tavolinë me të, e gjithashtu edhe pronari i lokalit.

Maloku i ka thënë KTV-se se nuk ka të dyshuar, përveç dyshimeve se bëhet fjalë për vetëvrasje, derisa janë në pritje të raportit nga Mjekësia Ligjore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme