Kronikë

Në gjyq xhaxhai shqiptar që mbyti me çekiç nipin në Gjermani dhe e hodhi në liqen

Më 16 prill në Gjykatën e Landit, në Ulm të Gjermanisë, fillon procesi ndaj shqiptarit 46-vjeçar i cili akuzohet se e ka mbytur me çekiç dhe pastaj e ka fundosur në një liqe, nipin e tij.

Siç ka bërë të ditur prokuroria të premten, ajo e akuzon personin në fjalë se e ka kryer vrasjen në mënyrë të pabesë dhe i shtyrë nga motivet e ulëta, shkruan dpa.

Motivi i vrasësit, sipas prokurorisë, ka qenë hakmarrja. Si shkak për krimin e bërë ka qenë një vrasje e kryer në Shqipëri në vitin 2000, transmeton albinfo.ch. Viktima e fundit, me qëndrim në Nordrhein-Westfalen ka qenë nipi i personit që kishte kryer vrasjen në vitin 2000.

Vrasësi me qëndrim në Göppingen, sipas prokurorisë e kishte mbytur viktimën duke e goditur shumë herë fuqishëm në kokë. Pastaj ai e ka mbështjellë trupin e pajetë me një folie plastike, ia ka lidhur një peshë betoni dhe e ka hedhur në liqe, ku pastaj. nga fundi i majit të vitit 2017 është gjetur kufoma.

Procesi gjyqësor pritet të zgjasë 33 ditë thotë prokuroria, ndërsa një vendim përfundimtar gjyqësor mund të merret nga janari i vitit 2019.