Kronikë

Arrestohen tre persona të dyshuar për grabitje të armatosur në Hajvali

Prishtinë, 29 mars – Njësitet policore të rajonit të Prishtinës, gjatë një operacioni të Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme, dje ka arrestuar F. G, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në një rast të grabitjes së armatosur, që ka ndodhur më datën 18.03.2018 në Hajvali - Prishtinë.

Rasti ka ndodhur në një shtëpi, ku viktimës nën kërcënimin e armës nga persona të armatosur dhe maskuar i janë marrë para të gatshme.

Konform kompetencave policore me autorizim të prokurorit të shtetit, është bërë bastisje në një lokacion, ku policia ka gjetur dhe konfiskuar:

- një pistoletë Ecol Special e kal. 9 mm,

- një karikator dhe

- dy fishekë.

Për po të njëjtin rast, hetuesit rajonalë kanë vazhduar aksionin e tyre edhe sot, që ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë të dyshuar:

• L. K, mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe

• H. P, mashkull, 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

Personat e arrestuar me urdhër të prokurorit janë dërguar në Qendrën rajonale të mbajtjes në Prishtinë, për përfundimin e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore e procedurale para se rasti t’i kalojë gjykatës.