Kronikë

Nën hetim 30 zyrtarë për tjetërsim pronash në bregdetin shqiptar

Pas arrestimeve në Lezhë, në Durrës kanë nisur hetimet për tjetërsim pronash. Burime të prokurorisë së Durrësit bëjnë të ditur se zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Hipotekës dhe të ALUIZNi-t në Durrës po hetohen për tjetërsim pronash në bregdetin e Gjirit të Lalëzit, Ishmit, Hamallajt dhe të Kallmit.

30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Hipotekës dhe Aluiznit Durrës janë përfshirë në një hetim nga prokuroria e Durrësit, pasi dyshohet të jenë implikuar në skandalin e tjetërsimit të pronave kryesisht në zonat bregdetare, transmeton abcnews.al. Hetimi i cili nisi me arrestimin e ish kryetarit të komunës Ishëm, Sulejman Ibrahim dhe vartësve të tij për abuzim me dhjetra hektarë tokë ranore në Gjirin e Lalëzit ka zbuluar edhe zyrtare te tjerë të përfshirë në këtë skandal. Burime nga organi i akuzës Durrës bëjnë me dije se janë një sërë dosjesh tashme te sekuestruara te cilat po i nënshtrohen hetimeve intesive.

Për këto abuzime, ku në Durrës sipas prokurorisë është bërë një masakër e vërtetë do të kërkohet të merren në pyetje personat përgjegjës. Mes tyre do të jetë ish drejtori i Aluiznit Durrës Flamur Gjuzi, dhe parardhësit e tij në këtë pozicion ashtu sikurse edhe në Hipotekë përfshirë këtu dhe ish-drejtorin e fundit Ani Dyrmishi.

Nëse dyshimet e prokurorisë vërtetohen, pritet të ketë arrestime mes zyrtarëve të implikuar. Nga hetimet e deritanishme burime nga prokuroria sqarojnë se zonat me të prekura nga tjetërsimi i pronave janë ato bregdetare, siç janë pronat në Gjirin e Lalëzit, Ishëm, Hamallaj, Rrushkull, zona bregdetare e Katundit të Ri dhe ajo e Kallmit. Pikërisht në këto zona dyshohet se zyrtarët kanë ushtruar veprën penale të shperdorimit të deryrës dhe falsifikimit të dokumentave, me qëllim tjetërsimin e pronave, duke ua dhënë personave të ndryshëm në kundërshtim me ligjin.