Operacioni “Shefi” në Itali, 43 të arrestuar, prej tyre 20 shtetas të Shqipërisë

Operacioni “Shefi” në Itali, 43 të arrestuar, prej tyre 20 shtetas të Shqipërisë

14 mars 2018 11:16

Dy grupe të mëdha kriminale të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali janë shkatërruar mëngjesin e kësaj të mërkure në Bari të Italisë, ndërsa në prangat e policisë kanë rënë disa anëtarë të këtyre bandave.

Policia italiane në bashkëpunim me Policinë shqiptare ka ndërmarrë një operacion antidrogë të koduar “Shefi” nën koordinimin e antimafias italiane. Dy grupet kriminale dyshohet se trafikonin edhe droga të forta si kokainë.

Mbi 200 forca të rendit kanë ekzekutuar 43 urdhra arrestimi ndaj personave të akuzuar për trafik marijuane, kokaine e hashashi. Gjatë këtij operacioni është sekuestruar edhe një sasi lënde narkotike e llojit kanabis. Mes të arrestuarve janë edhe 20 shtetas shqiptarë. Report Tv ka mësuar se katër prej tyre janë arrestuar në Shqipëri për llogari të policisë italiane. Droga trafikohej nga Shqipëria drejt rajonit të Puglias në Itali.

Policia italiane ka njoftuar një konferencë për shtyp rreth orës 11:00 ku do të publikohen detaje të tjera të këtij operacioni të madh antidrogë, i cili besohet se ka shkatërruar dy grupe të fuqishme trafiku kanabisi nga Shqipëria në Itali.

Operacioni “Shefi” ka nisur hetimet në vitin 2016 nga antimafia italiane e qytetit të Barit, ku janë sekuestruar lëndë narkotike e cila vinte nga Shqipëria.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme