Kronikë

Ish-gjyqtares së akuzuar për korrupsion i refuzohet ankesa

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të pandehurës, ish-gjyqtares Safete Tolaj, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të datës 26.01.2018.

Me anë të këtij të fundit, gjykata e shkalles së parë i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e avokatëve mbrojtës për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në rastin e të pandehurve Safete Tolaj, F.T. dhe G.Sh.

“Kjo e para po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘Asgjësim apo fshehje e materialit arkivor’ nga neni 416, si dhe ‘Falsifikim të dokumentit zyrtar’, nga neni 434, të po këtij kodi”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit, raporton Koha.net.

“Mbi të akuzuarin F.T., sipas aktit akuzues të prokurorisë, rendojnë këto vepra penale të parapara më anë të KPRK-së: ‘Mashtrim’ nga neni 335, ‘Ushtrim i ndikimit’ nga neni 431, ‘Falsifikim i dokumenteve’, nga neni 389, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 374 , dhe ‘Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’ nga neni 399. Ndërsa G.Sh akuzohet vetëm për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ neni 422 i KPRK-së”, thotë më tej kjo Gjykatë.

Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur e ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, dhe se me shqyrtimin e shkresave të lëndës dhe gjendjes faktike, drejt ka gjetur dhe në mënyrë të plotë, ka arsyetuar se akti i prokurorisë është mbështetur në prova dhe në ligj.

Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Pejë, më 11 tetor të vitit të kaluar, kishte ngritur aktakuzë ndaj këtyre tre personave.

Sipas aktakuzës, e pandehura Safete Tolaj në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin përkatësisht për të pandehurin F.T., keqpërdor autoritetin zyrtar në atë mënyrë që, pasi e pandehura Safete Tolaj më 02.01.2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri F.T. dhe G.Sh. takohen dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jap shumën prej 1.900 euro të pandehurit F.T. për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorëzanisë.

“E pandehura S.T. (Safete Tolaj) deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës”, thuhej në aktakuzën për këtë rast.

Gjithashtu e pandehura Safete Tolaj deri më 13.01.2017 në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit F.T. përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që i pandehuri F.T., duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijen e saj, përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.

Kujtojmë se pasi i ishte ngritur aktakuza për korrupsion, gjykatësja e Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, Safete Tolaj, kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë nëntorin e vitit të kaluar.

Ndërkaq, para dorëheqjes, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e kishte suspenduar Tolajn nga pozita e gjykatëses mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore të Pejës, dega në Deçan.