Kronikë

Aksidentohet në Kroaci autobusi me udhëtarë nga Kosova, fatmirësisht pa fatalitete

Ministria e Diasporës dhe e Investimeve Strategjike ka shprehur keqardhje për lajmin për aksidentin, nga i cili është përfshirë në flakë autobusi i një kompanie turistike që ka bërë transportin e 29 pjesëtarëve të diasporës nga Gjermania për në Kosovë.

Nga informatat e para që ka marrë kjo ministri, ky aksident ka përfunduar pa fatalitete, që është një lajm i mirë.

“Ekipi im në Ministri është në kontakt dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe do të reagojmë nëse paraqitet nevoja”, ka thënë ministri i Diasporës, Dardan Gashi.

Ministria thotë se kjo nuk është hera e parë që autobusë me bashkatdhetarë janë të involvuar në aksidente ku, si pasojë, rrezikohet jeta e udhëtarëve.

“Kërkojmë nga institucionet relevante dhe Policia e Kosovës që të jenë më rigorozë gjatë kontrollimit dhe certifikimit të kompanive që posedojnë automjete për bartjen e udhëtarëve në distanca më të largëta”, ka thënë MDIS.

Në fund, ministria u ka uruar të lënduarve rikuperim të shpejtë.

Ndërkaq, sipas raportimeve mediale, thuhet se aksidenti ka ndodhur në kufirin Kroaci-Serbi, derisa një autobus i një agjencie turistike nga Kosova është përfshirë nga flakët. Mësohet po ashtu se të gjithë udhëtarët kanë kaluar natën në ambientet e Kryqit të Kuq në Kroaci.