Kronikë

Nëna gjen të vetëvrarë djalin e saj 17 vjeçar në Viti, kërcënohej nga një fqinj

Enis Rrahmani (17 vjeçar) nga fshati Verban i komunës së Vitisë të mërkurën ka kryer vetëvrasje, raporton Koha Ditore.

Familjarët e viktimës kishin hapur të pame në fshatin e tyre duke i pritur njerëzit të cilët kishin ardhur që të shprehnin ngushëllime. Hazbi Rrahmani thotë se djali i tij Enisi për disa ditë rresht ishte kërcënuar nga një fqinj i tyre i cili e akuzonte 17 vjeçarin se kishte marrë disa gjëra nga ai.

Thotë se ai kishte biseduar edhe me fqinjin e tij duke kërkuar që t’i pushonte akuzat dhe t’i ndalte kërcënimet ngase me këtë problem do të merrej ai vetë si prind. Ai dyshon se djali i tij nga presioni që kishte pasur e kishte marrë vendimin fatal për jetën e tij.

Hazbi Rrahmani nuk ka saktësuar se për çfarë gjërash fqinji i tij e akuzonte djalin e tij dhe se nuk ka mundur të flas edhe për mënyrën sesi ka kryer vetëvrasje. Thotë se gruaja e tij kishte dal në oborrin e shtëpisë në mëngjes që të merr drunj për ndezjen e stufës për ngrohje dhe me pas e kishte gjetur djalin e tyre të vetëvrarë.

Ai thotë se 17 vjeçari ishte dërguar me urgjencë në njërën prej ambulantave mjekësore të cilat gjenden në këtë komunë mirëpo aty ishte konstatuar se ishte pa shenja jete.

“Po e ka ngacmuar një bashkëfshatar i joni, është 44 vjeçar, për tri ditë rend e ka ngacmuar. Gjoja se djali ka shkuar i ka marrë diçka atij. Mbrëmë ka qenë ai te shtëpia kah ora e 9 e 20 edhe ka fol me mu. Unë i kam thënë se djalin nuk guxon me prek sa të jem unë gjallë. Unë i kam tregu që me mu ti ki punë e jo me atë. E unë mbrëmje kom shkuar me lyp djalin, qatje luajnë ‘Conter’ (Conter Strike videoloja) te shkolla por nuk kish qenë aty. Jam kthyer te shtëpia edhe e kom prit me ardhur edhe nuk erdh. Në mëngjes jam zgjuar kam shkuar në punë. Kur ka dal gruaja me marr diçka mbas shtëpisë me marr do dru me kall zjarrin edhe e ka pa qysh me than… kish pas kryer vetëvrasje”, thotë i përlotur Hazbi Rrahmani.

Ai thotë se me këtë çështje janë duke u marrë policia duke mos dashur që të jep detaje në lidhje me personin të cilin e akuzon se ka bërë akuza dhe kërcënime në drejtim të 17 vjeçarit.

Ndërsa Agim Lipovica, komandant i Stacionit Policor në Viti ka deklaruar se nuk mundet të ofrojë informacione të hollësishme për rastin meqë hetimet janë në fazën fillestare. Mirëpo ai ka thënë se janë kryer bastisje në lidhje me këtë rast.

“Ne kemi pranuar informatën prej Ambulantes së Mjekësisë Familjare dhe kemi njoftuar njësitin e hetimeve dhe ata kanë dal në vendngjarje dhe është duke u hetuar rasti. Ka edhe sene të hetimeve dhe janë duke u marrë me këtë çështje dhe janë kryer edhe disa bastisje por nuk mundemi me konfirmu ma shumë se janë duke u marrë njësia e hetimeve regjionale”, ka thënë ai, raporton Koha Ditore.

Ndërsa Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan i ka deklaruar gazetës se janë duke zhvilluar hetimet mirëpo deri tash nuk ka asnjë person të ndaluar për këtë rast.

“Po prokurori ka qenë në vendngjarjes dhe deri tash nuk ka asnjë të ndaluar. Ai ka kryer vetëvrasje dhe për momentin nuk ka asgjë dhe të shohim më shumë”, ka thënë ai raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Gjilan.

Ndërsa nga drejtoria e arsimit në komunën e Vitisë tregojnë se Enis Rrahmani ishte nxënës i Shkollës së Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu” mirëpo ai kishte ndërprerë procesin mësimor.

“Klasën e 10 e ka kryer mandej e ka ndërprerë edhe nuk ka ardhur hiq se gjoja se ka me shku në Gjermani dhe ne kemi biseduar edhe me prindin e tij mirëpo ai nuk ka dashtë me ardhur më”, ka thënë Qahil Sinani, drejtor i arsimit.

Ndërkaq Policia Rajonale e Gjilanit në njoftim ka bërë të ditur se trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit dhe se njësitet relevante janë duke u marrë me zbardhjen e kësaj vdekje të dyshimtë