Arrestohen në Prizren tre të dyshuar për vjedhje të rënda Foto: Koha / ilustrim

Arrestohen në Prizren tre të dyshuar për vjedhje të rënda

14 shkurt 2018 12:50

Pas një muaj hetimesh intensive, hetuesit policorë të Stacionit Policor në Prizren, kanë arritur t’i zbardhin disa raste të vjedhjeve të rënda të cilat patën ndodhur nëpër shtëpi të qytetarëve të Prizrenit.

Sipas hetuesve, ky grup, aktivitetin e vetë e kishte orientuar kryesisht në vjedhjen e stolive të arta, pajisje elektronike si lap-topë, telefona e të tjera.

“Tre të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërkaq pas intervistës, me urdhër të prokurorit të shtetit, dy prej tyre ndalën nën masën e arrestit për 48 orë ndërsa i treti, për shkak të moshës (i mitur) ndalët për 24 orë”, thotë Policia e Prizrenit.

Policia ndërkaq është në kërkim edhe dyshuarit të katërt të cilin nuk e ka gjetur në shtëpi.

Lidhur me këto raste, pista e hetimit është drejtuar në kërkimin e stolive të arta dhe gjësendeve tjera të cilat dyshohet se janë tjetërsuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme