Katër të arrestuar për tentim-vrasje në Podujevë Foto: Koha / ilustrim

Katër të arrestuar për tentim-vrasje në Podujevë

13 shkurt 2018 09:43

Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh, ka bërë të ditur se në Komunën e Podujevës janë arrestuar katër persona të dyshuar për tentim vrasje në dy raste të ndara.

I pari rast është regjistruar në rrugën “Zahir Pajaziti”, Podujevë, dje në orën 11:35.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, pasi të njëjtit janë përfshirë në rrahje mes veti. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy të dyshuarve tjerë, të cilët ishin në automjetin e tyre. Persona të lënduar nuk ka pasur, ndërsa njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë”, thotë policia, raporton Koha.net.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

Ndërsa rasti i dytë është shënuar në fshatin Gllamnik të Podujevës dje në ora 13:36.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht duke e therur me thikë viktimën mashkull K/Shqiptar. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, tha Policia.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme