Kronikë

Arrestohet në Tiranë i kërkuari nga SHBA për krim kibernetik, pjesë e grupit të të arrestuarve edhe në Kosovë

Policia e Shtetit shqiptar ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SHBA-ja në fushën e krimeve kibernetike.

I njëjti, sipas Policisë së Shtetit, ishte pjesëtar i organizatës kriminale në fushën e krimeve kibernetike “Infraud”.

Operacioni, i zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë, nga Sektori Kundër Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me DVP Fier dhe Prokurorinë e Përgjithshme, arriti të kapte shtetasin A. Y., 25 vjeç, lindur dhe banues në Fier.

“Ndaj shtetasit A.Y. ka një urdhër arresti nga SHBA-ja për vepra të ndryshme penale në fushën e krimit kibernetik, pjesëtar i një organizate kriminale që shiste të dhëna të vjedhura kartash krediti në thellësi të internetit, duke u shkaktuar konsumatorëve një humbje prej 530 milionë dollarësh”, thotë Policia e Shtetit, raporton Koha.net.

Ndërsa, nga 36 personat ndaj të cilëve u ngrit padi, 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Grupi i quajtur “Infraud” ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar ukrainas dhe përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.