Kronikë

Tre të arrestuar për vjedhje në Prizren

Tre persona janë arrestuar në fshatin Malësi e Re të Prizrenit, të dyshuar për vjedhje, transmeton Koha.net.

Përmes një komunikate për media Policia e Kosovës bën të ditur se, “rreth orës 23:00, në fshatin Malësi e Re, tre të dyshuar kishin hyrë në një shtëpi për të vjedhur mirëpo ishin vërejtur nga vëllai i pronarit të shtëpisë ndërkaq hajdutët kishin kërcyer nga ballkoni i shtëpisë dhe e kishin sulmuar të njëjtin. Gjatë sulmit ia marrin edhe portofolin me dokumente personale dhe 120 euro”.

Hetues policorë që ishin në detyrë i janë përgjigjur rastit dhe pas një pune operative taktike në terren dhe në bashkëpunim me qytetarët e fshatit janë ndaluar të dyshuarit të cilët po përdornin një automjet të llojit “Ford” me targa të Shqipërisë, thotë PK.

“Pas arrestimit, të dyshuarit: F.L; J.J dhe A.B janë dërguar në stacion për intervistë. Gjatë kontrollit të automjetit, në prani të avokatit mbrojtës, janë gjetur dhe sekuestruar gjësende të ndryshme të vjedhura: pajisje amvisërie, bizhuteri dhe një sasi e substancës narkotike. Ndër gjësendet e gjetura është edhe portofoli me dokumente personale të viktimës nga Malësia e Re”, thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit ndalën nën masën e arrestit policor.

Ndërkaq, dje në orët e hershme të mëngjesit, në vazhdën e parandalimit, hetimit të veprave penale dhe sekuestrimit të gjësendeve të kundërligjshme, në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit dhe gjykatën kompetente, hetues rajonalë të mbështetur edhe me njësite tjera policore kanë zbatuar një plan operativ i cili ka pasur për detyrë të kontrolloj tri lokacione hoteliere që punonin gjatë orëve të natës.

“Gjatë kontrollit të ushtruar janë legjitimuar të gjithë personat e pranishëm. Janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë; 16 gramë kokainë dhe në dy raste të ndryshme sasi të vogla të marihuanë”, thotë PK.

Për të gjitha këto gjetje është informuar prokurori i shtetit.