Kronikë

E zunë hetuesin gjatë orarit të punës në motel, tre menaxherë të IPK-së akuzohen se e ndaluan kundërligjshëm

Qëndrimi më shumë se një orë në një motel në Ferizaj për një zyrtar të Inspektoratit të Policisë ka rezultuar me aktakuzë për tre zyrtarë të po këtij institucioni.

Në grupin e zyrtarëve të akuzuar nuk bën pjesë hetuesi i cili në korrik të vitit 2013, gjatë orarit të punës, i shoqëruar me një vajzë, kishin vizituar një motel. Aktakuza është për tre zyrtarët që kishin punuar në zbulimin e rastit, shkruan sot Koha Ditore.

Ka më shumë se një vit e gjysmë që ish-kryeshefi i IPK-së, Fitim Shishani, Valbona Osmani, drejtoreshë për Hetime Speciale në IPK dhe Jetullah Aliu, drejtor i Departamentit të hetimeve në këtë institucion, janë suspenduar pasi që Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre tre zyrtarëve me arsyetimin se ndalimi i hetuesit në motel ishte i jashtëligjshëm.

Hetuesi Q.V., që ishte zënë në motel, është avancuar në punë, ndërsa zyrtarët e IPK-së që kishin marrë iniciativë ta hetonin janë suspenduar dhe degraduar në pozita. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)