Kronikë

Përkeqësohet moti në Vlorë e Durrës, pezullohet lundrimi

Moti i përkeqësuar dhe me dallgë, të cilat arrijnë deri ne 8 ballë në det të hapur dhe afërsisht 6 ballë brenda gjirit, kanë pezulluar edhe të shtunën lundrimin detar. Prej 48 orësh trageti i linjës Vlore-Brindisi nuk ka kryer itinerarin e zakonshëm dhe ka qëndruar në kalatat e portit të Brindisit.

Shkak për këtë është bërë moti i keq që ka përfshirë qytetin e Vlorës. Si pasojë e erërave të forta disa pemë dekorative në zonën e “Lungoamres” janë thyer, po ashtu dhe shumë biznese përgjatë bregdetit kanë pësuar dëme.

Kapiteneria e portit të Vlorës njoftoi se si pasoje e motit të përkeqësuar me erë dhe dallgë të mëdha është pezulluar lundrimi detar, transmeton tch.

Edhe në Durrës, era e fortë, deti me dallgë dhe reshjet e vazhdueshme të shiut ka krijuar probleme në lundrim. Një nga dy tragetet e linjës Bari-Durrës për shkak të detit të trazuar është detyruar të ndryshojë kursin e lundrimit duke regjistruar një vonesë mbi 3 orëshë në mbërritje. Anijet e peshkimit kanë pezulluar lundrimin dhe rritur masat e sigurisë, ndërsa probleme ka pasur në përpunimin e anijeve tregtare.

Burime nga Kapiteneria e portit të Durrësit thane se vonesa në lundrim është shkaktuar nga deti i trazuar në dy anët e Adriatikut. Në det të hapur, era dhe deti regjistrojnë forcën 8 ballë, ndërsa brenda Gjirit të Durrësit deti ka forcën 5-6 ballë. me ndryshimin e drejtimit të erës në veri-perëndim, e diela pritet te sjelle përmirësim të kushteve atmosferike.

Ndërkohë në Gjirokastër reshjet vijojnë me intensitet prej 24 orësh. Liqeni i Viroit ka shkatërruar digën provizore duke dalë në rrugë e vështirësuar qarkullimin e mjeteve në aksin kombëtar Gjirokastër-Tepelenë, ku Policia po orienton qarkullimin me një sens në këtë pjesë të aksit.

Probleme ka në Dropull ku qarkullimi drejt fshatrave Llongo dhe Koshovicë është bllokuar nga prurjet e Drinos dhe shkatërrimi i urave provizore që u ndërtuan pas përmbytjeve të dhjetorit.

Në disa zona të qarkut dhe dy lagje të qytetit raportohen rrëshqitje të reja dherash. Rruga drejt Zagories është e rrezikshme prej shembjes së gurëve nga skarpatet e rrugës ndërsa problemet po rishfaqen edhe në Lunxhëri dhe Cepo.

Rruga drejt fshatit Zhulat ku prej 10 ditësh po punohet për rehabilitimin kalohet me vështirësi.