Kronikë

Detaje të reja rreth vdekjes së punëtorit në termocentralin “Kosova A”

Descriptive Text

[E plotësuar] 12:23 - Fehmi Salihu, punëtor i termocentralit “Kosova A” ka vdekur mbrëmë, në vendin e tij të punës.

Sindikata e punëtorëve ka bërë të ditur për KTV-në se ai ka humbur jetën pasi ka rënë nga 30 metra lartësi derisa ishte duke punuar në një makineri, brenda objektit të Termocentralit.

I ndjeri ishte 56 -vjeçar nga Fshati Keqekollë i Prishtinës. Sipas kryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Rafet Osmani, kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së sigurisë në punë.

Policia e Kosovës po e konsideron rastin si vdekje e dyshimtë derisa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Siguria e punëtorëve në vend të punës vazhdon të jetë e ulët, veçanërisht e atyre në sektorin e ndërtimit. Rreth 15 raste të vdekjeve në vend të punës janë shënuar vetëm gjatë vitit 2017.

 


Policia jep detaje nga vdekja në KEK, punëtori ra nga lartësia

[E plotësuar] 11:02 - Vdekje të dyshimtë e ka kategorizuar Policia e Kosovës rastin që ka ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Policia, në raportin e vet 24 orësh, thotë se ngjarja ka ndodhur në minutat e para të 3 shkurtit.

“Obiliq 03.02.2018-00:01. Raportohet se viktima mashkull shqiptar gjersa ka qenë duke punuar, aksidentalisht ka rënë nga lartësia me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në obduksion”, thuhet në raportin e PK-së, përcjell Koha.net.


Vdes në vendin e punës një punëtor i KEK-ut

Një punëtor i KEK-ut, ka vdekur në vendin e tij të punës, njofton Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Siç bëhet me dije në komunikatë, fjala është për F. Salihu i cili ka ndërruar jetë mbrëmë në orën 23 e 50 minuta, derisa ishte duke u punuar në ndërrimin e tretë.

“Të nderuar kolegë punëtor të KEK-ut më dhimbje të thellë ju njoftojmë se mbrëmë në ndërrimin e tretë përkatësisht në ora 23 e 50 humbi jetën punëtori në TCA F. Salihu. I ndjeri humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në punë. Ngushëllime familjes Salihu, ngushëllime kolegëve”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Koha.net ka kontaktuar me drejtorin menaxhues të KEK-ut, Arben Gjuka, i cili ka konfirmuar rastin. Ai ka thënë se janë ende duke mbledhur informata se si ka ndodhur rasti, dhe se do të njoftojnë për detaje tjera.