Kronikë

Pesë vjet e gjashtë muaj burgim dhe 25 mijë euro gjobë ndaj dy personave për shpëlarje parash

Gjykata Themelore në Ferizaj, më saktësisht trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot 29 janar 2018, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit J.L dhe J.L.

Siç njofton kumtesa, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje e parave nga neni 32 paragrafi 2 pika 2.1, 2.3, 2.6 dhe 2.8 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së parave dhe Financimit të Terrorizmit, si dhe veprën penale shmangia nga tatimi nga neni 249 paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë, të pandehurin J.L për veprën penale Shpëlarje e parave nga neni 32 paragrafi 2 pika 2.1, 2.3, 2.6 dhe 2.8 të ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëmbëdhjetë mijë euro.

Ndërsa për veprën penale shmangie nga tatimi, në mungesë të provave është liruar nga akuza, ndërsa i pandehuri J.L, për veprën penale të kryer në bashkëkryerje shpëlarja e parave nga neni 32 paragrafi 2 pika 2.1, 2.3, 2.6 dhe 2.8 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të terrorizmit, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy vjet e gjashtë muaj si dh dënim me gjobë në shumë prej dhjetë mijë euro.

Të pandehurit obligohen që në afat prej tridhjetë ditëve, pasi aktgjykimi të marr formën e prerë, palës së dëmtuar Buxhetit të Kosovës, t’i paguajnë dëmin e shkaktuar në vlerë prej 274.362.36 euro.

“Të pandehurit akuzohen se nga viti 2005 deri në vitin 2010, në bashkëkryerje kanë bërë pastrimin e parave të fituara, duke keqpërdorur autorizimet ne ekonomi, ashtu që kanë bërë tregti brenda dhe jashtë territorit të Kosovës për blerjen e marrave nga Republika e Kinës dhe atë këpucë, fillimisht kanë deponuar mjete financiare në llogaritë përkatëse në bankat afariste në Kosovë pastaj i kanë transferuar në bankat e Kinës për t’i furnizuar me mallra subjektet e tyre afariste, përkatësisht N.T. “M....” me pronar J.L dhe N.T.P. “R....” me pronar J.L1, nga rrjedhë se shuma e mjeteve të transferuara pa import të mallit për këto dy subjekte afaristë kap vlerën e 1.739.362.66 euro, për të cilat nuk është justifikuar prejardhja e parave të transferuara jashtë vendit e që në rastin konkret janë munduar të fshehin apo maskojnë natyrën apo burimin e vërtet të kësaj pasurie që për të pandehurit kap shumën totale prej 274.362.36 euro që nënkupton shumën e parave të shpëlarja”, përfundon njoftimi nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.