Çfarë ndodhi sot gjatë gjykimit të Nebih Berishës që vrau bashkëshorten Zejnepe

21 mars 2017 19:17

Vajza e mitur e Zejnepe Berishës me ankth ka dëgjuar babanë e saj në Gjykatë, derisa ka dhënë dëshminë për vrasjen e gruas së tij, raporton KTV.

E.Berisha është e dëmtuar në këtë rast sepse kur kishte tentuar ta mbronte nënën e saj nga goditjet e thikës të të akuzuarit Nebih Berisha, ai e kishte goditur edhe të bijën në dorë, duke i shkaktuar lëndime.

Seancat kanë vazhduar pas ndërprerjes së tyre vitin e kaluar, kur ishte vendosur t’i kryhej ekzaminimi psikiatrik të akuzuarit.

Sipas përfundimit të këtij raporti të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, në kohën e kryerjes së veprës penale, aftësia e të pandehurit për të kontrolluar veprimet e tij ka qenë e zvogëluar. Në raste të tilla, kjo është rrethanë ligjore lehtësuese që atij mund t’ia ulë dënimin.

Në pjesën e parë të seancës, që ka qenë e hapur për publikun, është paraqitur raporti i këtij Instituti, që megjithatë e ka vlerësuar si të aftë Berishën për të marrë pjesë në seanca dhe për të dhënë mbrojtjen e tij.

Kur Berisha ka nisur rrëfimin e tij, trupi gjykues e ka mbyllur gjykimin për shkak të ndjeshmërisë.

Sipas avokatit të tij, fajtor për këtë vrasje është shoqëria, sepse ai pretendon se klienti i tij ka trauma nga lufta.

Sipas aktakuzës, Zejnepe Berisha kishte pësuar 20 plagë nga goditjet me thikë nga bashkëshorti i saj që kishte qenë nën ndikim të alkoolit natën e 23 tetorit 2015.

Nebih Berisha akuzohet nga Prokuroria për vrasje të rëndë dhe lëndim të lehtë trupor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme