Kronikë

Kapen me kokainë, 5 të arrestuar

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në policinë e Tiranës, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë arrestuar të shtunën 5 persona, raporton TCH.

Të arrestuarit mësohen se janë shtetasit me iniciale E.H., 41 vjeç, banues në Tiranë; A. P., 28 vjeç, banues në Elbasan; M. J., 34 vjeç, banuese në Elbasan; Sh. M., 51 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë; si dhe M.G., 26 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë.

Mësohet se arrestimi i tyre u bë pasi në bazë informacioneve të marra në rrugë operative që dispononte Seksioni për Narkotikët në policinë e Tiranës rezultonte se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata shisnin lëndë narkotike e llojit të dyshuar kokainë me klientelë kryesisht në zonën e Oxhakut, Xhamllikut në kryeqytet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në 2 automjetet tip “Golf 5”, që këta shtetas lëviznin i’u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 256.5 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:2 automjete; 8 telefona celularë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lendeve narkotike në bashkëpunim”, parashikuara nga neni 283/2, të Kodit Penal.