Kronikë

Policia konfirmon rrahjen e drejtorit të Postës, por nuk përmend emra

Policia e Kosovës përmes një njoftimi, pa përmendur emra, ka konfirmuar rrahjen mes drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti dhe drejtorit të Postës, Agron Mustafa.

“Rreth orës 13:00 në rrugën ‘Enver Zymberi’ kemi pranuar informatën për një rrahje, në të cilën janë përfshirë katër persona, dy prej të cilëve kanë pësuar lëndime trupore. Lidhur me rastin, personat e përshirë janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim”, ka thënë për portalin Koha.net, Flora Ahmeti nga zyra për informim në Policinë e Kosovës.

Koha.net mëson se Mustafa është rrahur nga Nazim Sahiti, drejtor i krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, por një gjë të tillë ky i fundit e mohon.

“Nuk është e vërtetë që ka qenë rrahje. Ka qenë një fjalosje ndaj Mustafës dhe një kolegut tim. Unë kam qenë në veturë duke e prit kolegun tim, kam dalë nga vetura vetëm për ta zgjidhur çështjen”, tha Sahiti për Koha.net i cili shtoi se për momentin gjendet në Polici për të dhënë deklaratën.

Koha.net ka provuar që të flasë edhe me drejtorin e Postës së Kosovës, por qasja me të ka qenë e pamundur. Mustafa e ka pasur të fikur telefonin. Megjithatë ai ka folur për disa mediume tjera, ku ka thënë se personi tjetër që e ka sulmuar atë është një polic që njihet si Tarkani. Mustafa ka thënë se nuk e di pse është sulmuar.