Kronikë

Kërcënuesi i Kusari-Lilës shpallet i pafajshëm

E shqetësuar ishte paraqitur në korrikun e 2015-s Mimoza Kusari-Lila, kur nga organet e rendit në Shqipëri kishte kuptuar se ajo kishte qenë cak për likuidim nga dy shtetas shqiptarë, por që do të paguheshin nga një qytetar i Komunës së Gjakovës.

Kështu kishte deklaruar njëri nga të porositurit për vrasje nga Mikel Qupi, Gramoz Nukshiqi nga Shqipëria, raporton KTV.

Ai për këtë plan kishte raportuar si i penduar te Policia shqiptare.

Kishte thënë se 300 mijë euro Mikel Qupi iu kishte ofruar atyre për vrasjen e kryetares së Gjakovës, atëkohë Mimoza Kusari-Lila, e 30 mijë euro për vrasjen e personit tjetër me emrin Prenk Radi.

Por, të gjitha këto akuza janë hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Gjakovë dhe Mikel Qupi është shpallur i pafajshëm.

Avokati i Qupit, Besnik Berisha, ka thënë se kjo është edhe një dëshmi më shumë se Prokuroria nuk duhet të ngre aktakuza në bazë të trillimeve.

Nën këto akuza Qupi kishte kaluar një periudhë në paraburgim, si dhe arrest shtëpiak.