Kronikë

Sivjet çdo muaj nga dy të vrarë në Kosovë

Nga viti 1999 deri më 2017, në Kosovë sipas të dhënave policore kanë ndodhur 1521 vrasje me motive të ndryshme.

Nga muaji janar deri në muajin nëntor në Kosovë kanë ndodhur 24 raste të vrasjeve.

Nga këto 24 raste sa janë raportuar në Policinë e Kosovës, vetëm 18 raste apo 75 për qind e tyre janë zgjidhur, ndërsa gjashtë raste tjera janë ende nën hetim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha në një konferencë për media ka thënë se rastet e vrasjeve në përgjithësi janë tepër shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë.

Nga muaji janar deri në nëntor, Policia e Kosovës ka konfiskuar 1055 armë të llojeve të ndryshme.

Krahasuar me vitet e kaluara ka një rënie të numrit të vrasjeve në Kosovë.

Duke u nisur që nga vitit 2008 ku janë regjistruar 45 vrasje, në vitin 2009 -55 vrasje, 2012 -59 vrasje, 2011 -44 vrasje, 2012- 50 vrasje, 2013 -44 vrasje, 2014 -37 vrasje, 2015- 27 vrasje dhe vitin e kaluar 26 vrasje.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2017 ka ndodhur edhe një vrasje e një 17 vjeçari i cili është therur për vdekje me thikë në rrugën “Gustav Mayer” në Prishtinë.

Krahasuar me vitet e kaluara, këtë vit vërehet se numri i të miturve që janë vrarë është dukshëm më i madh. Kujtojmë këtu edhe vrasjen e 17 vjeçarit Aulon Zeka nga dy të mitur tjerë që shkaktoi protesta dhe ngjalli shumë debate.