Kronikë

Dy policë kufitarë arrestohen për bashkëpunim në trafikim me njerëz për në Greqi

Dy punonjës të Policisë Kufitare në Gjirokastër u arrestuan nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat me akuzën e dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit, shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionit pasiv.

SHÇBA thotë se bëhet fjalë për një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore dhe kishte regjistruar një procedim penal prej disa muajsh, mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar për kalimin e shtetasve shqiptare dhe të huaj, përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë në mënyrë ilegale.

Pas një hetimi u bë e mundur të identifikohej dhe dokumentohej ky aktivitet kriminal. në operacionin e koduar “Green Border” u arrestuan efektivët e policisë kufitare, Timo Ciko, 50 vjeç, shef i ruajtjes së Kufirit të Gjelbër dhe Bledar Duçka , 43 vjeç si dhe shtetasit Shpëtim Brakaj, 41 vjeç nga Fieri.

Kundrejt pagesave që varionin nga 300 deri në 400 euro për çdo person, të siguruar nga shtetasi Brakaj, punonjësit e Policisë në vijën kufitare, siguronin kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj në mënyrë ilegale pa kryer procedurat ligjore.

Shtetasit që kalonin përmes pagesave tek rrjeti i dyshuar i trafikuesve, e kishin të pamundur të udhëtonin në zonën Shengen për shkak të problemeve me afatet e shkelura kohore, apo mospërmbushjen e kushteve të kalimit të lirë.

Gjatë arrestimit në flagrancë, të ndaluarve u janë sekuestruar një sasi euro, lekë, dollarë, telefona celularë dhe 1 automjet.

Hetimi po vijon për zbulimin e personave të tjerë të implikuar./TCH