Kronikë

Atentati ndaj shqiptarit në Ekuador, dyshohet për hakmarrje mafiozësh

Dy ditë pasi një shtetas shqiptar ishte në qendër të një atentati të organizuar, policia e Ekuadorit deklaroi se ngjarja ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Shefi i policisë së qytetit Guajakili dha detaje për këtë atentat, duke shpjeguar se i dëmtuari jetonte prej tetë vitesh në këtë vend dhe se kishte pasaportë ekuadoriane.

Identiteti i të plagosurit nuk bëhet publik, por policia vendase njoftoi se ai ishte nën hetim për një krim të ndodhur në 30 maj në Guajakili, që është vrasja e shtetasit shqiptar Ilir Hidri.

German Sevajos, shef i policisë lokale, shpjegoi më tej se objektivi i atentatit më të fundit, të datës 7 nëntor qarkullonte me automjet të blinduar, çka lë të kuptohet se ai ndihej i kërcënuar për jetën.

Sipas policisë, shtetasi shqiptar u qëllua nga dy persona që e ndoqën atë me motor teksa po udhëtonte me mjetin e tij “Ford Explorer” në qendër të Guajakilit.

I plagosuri është transportuar në spitalin rajonal dhe gjendja e tij paraqitet jashtë rrezikut për jetën. I pyetur nga policia, ai shpjegoi se bashkëshortja e tij kishte ulur xhamin e makinës për të pirë një cigare dhe në atë çast personat që e kishin ndjekur me motor qëlluan me armë zjarri disa herë mbi të.

Gjashtë muaj më parë, në Guajakili u vra në rrethana të pazbardhura edhe Ilir Hidri, nga Vora, për të cilin u deklarua se kishte patur probleme me ligjin dhe për këtë arsye ishte mbajtur në burg./Top Channel