Kronikë

Arrestohet një person për grabitje të armatosur

Policia e Kosovës ka arrestuar një person, i cili nën kërcënimin e armëve kishte arritur të grabiste një shumë të konsiderueshme parash dhe një çantë me dokumente personale nga disa viktima në një parking në zonën industriale të Fushë Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, menjëherë pas marrjes së informatës më 7 nëntor njësitë janë vënë në ndjekje të veturës Golf IV, ngjyrë hiri pa targa, me të cilën i arrestuari dhe dy të tjerë ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

“Kjo veturë është ndaluar në rrugën Prishtinë - Mitrovicë, nga zyrtarët policor të cilët domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të rrezikshme. E gjithë kjo është bërë duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre”, thuhet më tej në raportin e Policisë.

Me këtë rast është arrestuar vetëm një nga tre të dyshuarit:

F. S, mashkull, 38 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ndaj të cilit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për veprat Tentim vrasje, grabitje e armatosur dhe mbajte në pronësi, në kontroll, në posedim ose ne shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Ndërkohë që njësitet policore kanë sekuestruar:

vetura Golf IV ,

një pistoletë e kalibrit 8 mm ,

një pistoletë të plastikës (lodër),

një pale dorëza,

dy kapela si dhe

çanta e viktimës së bashku me dokumentet personale.

“Aktualisht hetuesit policorë po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë ngjarje, si dhe po punojnë për identifikimin e arrestimin e personave të tjerë që dyshohet të jenë të përfshirë në rast”, thuhet në fund të njoftimit.