Kronikë

Për vrasjen në Ferizaj, dorasit 15 vjet burgim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar një person me inicialet M.A me 15 vjet burg për një vrasje, që ka ndodhur në Ferizaj.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë për veprën penale “vrasja” të pandehurin M.A e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katërmbëdhjetë (14) vjet, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”, me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet.

I pandehuri M.A akuzohet se më 18 gusht 2016, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.R, duke shtënë në drejtim të tij dy herë me revole, pas një mosmarrëveshje të mëhershme që kishte ndodhur ndërmjet tyre, me ç’rast i ndjeri nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Konform nenit 193 paragrafi 1 të KPRK-së, konfiskohet revolja e tipit “Vzor”, me një karikator, pesë copë fishekë si dhe revolen e tipit “Vzor…” me një karikator dhe dy copë fishekë. Të pandehurit me aktvendim të veçantë, i vazhdohet masa e paraburgimit deri se aktgjykimi të marr formën e prerë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej (pesëmbëdhjetë) 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.