Kronikë

Mbrojtja e Enver Sekiraqës tregon pse Apeli e riktheu në burg atë

Descriptive Text

Enver Sekiraqa, është kthyer mbrëmë në Burgun e Sigurisë së Lartë, për shkak se Prokuroria ka gjetur se ai ka shkelur arrestin shtëpiak.

Koha.net e ka mësuar këtë nga avokatja e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi, e cila ka thënë se më datë 24, ditë e martë, do të mbahet një seancë dëgjimore për caktimin e paraburgimit.

Arrestimi i menjëhershëm u urdhërua nga gjyqtarja kryesuese Elka Filcheva-Ermenkova, e mbështetur nga Zyrtarja Ligjore e EULEX-it, Kerry Moyes, që masa e arrestit shtëpiak të zëvendësohet me masën e paraburgimit i cili hyri në fuqi menjëherë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdovc, raporton Koha.net.

Sipas Kelmendit, Prokuroria ka konsideruar se Sekiraqa ka shkelur arrestin shtëpiak pak orë pasi ai është liruar, kur në shtëpinë e tij kanë shkuar për vizitë edhe familjarë e miq.

Kujtojmë se përveç ndryshimit të masës, më 19 tetor Gjykata e ka udhëzuar Sekiraqën të mos lëvizë fare nga shtëpia e tij, madje të mos kontaktojë me asnjë person me të cilin nuk jeton.

Koha.net ka mësuar se Kërkesa e Prokurorit të Shtetit parashtronte se i pandehuri ka shkelur Urdhrin e 19 tetorit, që caktonte arrest shtëpiak për të pandehurin me udhëzimin që atij i kufizohej me kë të kontaktonte.

Prokurori i Shtetit, e ka mbështetur këtë parashtrim me një fotografi të një postimi në Facebook nga nipi i avokatit Asdren Hoxha, i cili ka shkuar të vizitojë në shtëpi Enver Sekiraqën.

Asdren Hoxha, është avokat i Enver Sekiraqës por në një tjetër rast.

Kjo u bë e qartë nga kërkesa e parashtruar nga Prokurori i Shtetit, që përfshinte një kopje të fotografisë dhe të postimit, që Enver Sekiraqa ka shkelur kufizimin e arrestit shtëpiak brenda pak orësh pas caktimit të tij.

Në vendimin e ri të Apelit, një kopje të cilën e ka siguruar Koha.net, thuhet "Se kjo është një mospërfillje flagrante e Gjykatës dhe e urdhrit të caktuar, prandaj masa e arrestit shtëpiak revokohet dhe përsëri caktohet masa e paraburgimit".

Avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi ka thënë për Koha.net se më datë 24 tetor 2017, në orën 14:00 do të mbahet një seancë në lidhje me paraburgimin e tij, ku i pandehuri do të shoqërohet nga Burgu i Sigurisë së Lartë deri në Pallatin e Drejtësisë.

Kthimi i Enver Sekiraqës në Burgun e Sigurisë së Lartë është bërë mbrëmë pas orës 23:00.

LEXO EDHE: Sekiraqa kthehet në Burgun e Sigurisë së Lartë

Kujtojmë se Enver Sekiraqa ka qëndruar për disa vite në paraburgim i dënuar me 37 vjet burg për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.