Kronikë

VV thotë se tre aktivistë të Nismës i sulmuan kandidatin për asamble në Malishevë

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media bën të ditur se sot tre aktivistë të Nismës kanë sulmuar fizikisht kandidatin për asamble në komunën e Malishevës, Muhamet Bytyçi, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Sot, në mesditë, tre aktivistë të partisë ‘Nisma për Kosovën’ kanë sulmuar fizikisht aktivistin dhe kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal të Malishevës, Muhamet Bytyçi. Nga ky sulm, Muhamet Bytyçit i janë shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në komunikatën e VV-së, transmeton Koha.net.

Më tutje Vetëvendosje thotë se, “ky veprim kriminal dhe i papranueshëm flet edhe për panikun e madh të Nismës për Kosovën para zgjedhjeve të 22 Tetorit. Kjo parti që ka tradhtuar zgjedhësit e saj duke hyrë në koalicion me PDK-në është tashmë e vetëdijshme se e ka rënien të pandalshme. Ndaj, gjendjen e saj të rëndë po e manifeston me veprime të këtilla”.

Lëvizja Vetëvendosje i dënon ashpër këto veprime dhe “fton organet e rendit e drejtësisë që t'i nxjerrin sulmuesit para përgjegjësisë”.

Image