Kronikë

Familja e turistëve shqiptarë gjen çantën me 115 mijë euro dhe i dorëzon në Polici

Seksioni i Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, kanë nisur hetime intensive lidhur me një çantë personale, në brendësi të saj me vlera monetare, në një sasi prej 115 mijë euro, të gjetur në zonën e Llogarasë.

Lidhur me këtë çantë, në Sallën Opertative Vlorë ka telefonuar një tjetër shtetas i cili njofton se në Llogara është harruar një çantë me vlera monetare prej dy shtetasve ukrainas.

“Në përfundim të hetimeve nga Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik, pas verifikimit dhe identifikimin se kujt u përkiste kjo çantë si dhe prej nga e kanë burimin të ardhurat, të cilat nuk ishin deklaruar nga shtetasit posedues në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, kanë nisur procedimin penal për shtetasit S.M., 62 vjeçe, dhe P.K., 57 vjeç, banues në Ukrainë”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Shtetit.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën e vlerave monetare.

Materialet u referuan në Prokurori për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, parashikuar nga neni 179/a të Kodit Penal.

“Policia falënderon familjen e cila njoftoi dhe dorëzoi paratë”, përfundon njoftimi i Policisë së Shtetit.