Kronikë

Detaje për dy aksidentet e mbrëmshme me fatalitet në Komoran

Descriptive Text

Policia e Kosovës, në raportin e saj 24 orësh, ka dhënë versionin e saj në lidhje me dy aksidentet e mbrëmshme të ndodhura në Komoran të Drenasit, me ç’rast humbën jetën 3 persona.

Aksidenti i parë ka ndodhur mbrëmë në orën 20:00, kur drejtuesi i veturës, mashkull K/Shqiptar, derisa ishte duke drejtuar veturën, ka shkaktuar vet aksident trafiku.

“Si pasojë e aksidentit, drejtuesi dhe pasagjeri mashkull K/Shqiptar kanë humbur jetën. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, trupat e tyre me vendim të prokurorit, janë dërguar në IML për obduksion”, thotë PK, ndërsa shton se rasti është duke u hetuar, raporton Koha.net.

Aksidenti i dytë ndodhi vetëm 20 minuta më pas, kur një kamion u ndesh me një autoambulancë.

“I dyshuari mashkull K/Shqiptar, derisa ishte duke drejtuar autoambulancën, në të cilën kishte një pacient K/Shqiptar, dyshohet nga pakujdesia ka goditur kamionin me targa të Bullgarisë të cilin ishte duke e drejtuar viktima mashkull shtetas i Bullgarisë. Si pasojë e aksidentit, pacienti ka mbetur pa shenja jete, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa lëndime kanë pësuar i dyshuari dhe tre pasagjerët (një femër dhe dy meshkuj K/Shqiptar-e) të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.