Kronikë

Emigracioni ilegal, dënohen pjesëtarët e grupit anglo-shqiptar

Pjesëtarë të një grupi kriminal anglo-shqiptar në zonën e Birminghamit, që merrej me trafikimin ilegal të shtetasve shqiptarë në Britani, janë dënuar me 21 vjet burgim në total nga gjykata.

Ata u shpallën fajtorë për lehtësimin e trafikimit dhe shkeljen e ligjeve të emigracionit për shtetas që nuk janë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Tre anglezë dhe një shqiptar e pranuan fajësinë, ndërsa dy shqiptarë të tjerë i mohuan akuzat, por u shpallën gjithsesi fajtorë, shkruan KP.

Tre anglezët, mes të cilëve një grua, dhe tre shqiptarët, rreth të 40-ave, u ndaluan në flagrancë nga autoritet e kufirit. Në dy raste të ndryshme, në mars dhe gusht të 2015-s, ata ishin duke transportuar drejt Anglisë 5 emigrantë shqiptarë të fshehur në bagazhet e makinave të tyre, mes të cilëve edhe një fëmijë.

Hetuesit britanikë përdorën të dhënat telefonike dhe ato të udhëtimit të dy drejtuesve shqiptarë të këtij rrjeti kriminal për të zbuluar përmasat e përpjekjeve të tyre për trafikimin e qenieve njerëzore.

Shqiptarët ndiqnin makinat e bashkëpunëtorëve të tyre anglezë për t’u siguruar që emigrantët do të kalonin kufirin.

Britania kryen kontrolle kufitare në Francë dhe Belgjikë, ku oficerëve u lejohet të kontrollojnë mjetet e transportit të pasagjerëve dhe mallrave që kanë si destinacion Mbretërinë e Bashkuar.

Pavarësisht sugjerimit se dy nga emigrantët e trafikuar ishin pjesëtarë të familjeve shqiptare, gjykatësi Simon James deklaroi se, “nuk kishim të bënim me një operacion të motivuar nga altruizmi dhe dhembshuria”. Duke dënuar pjesëtarët e këtij rrjeti kriminal, James i cilësoi drejtuesit shqiptarë të grupit me të njëjtin mbiemër si “arkitektë dhe forca drejtuese e rrjetit të strukturuar”.