Kronikë

Rrokulliset me traktor, vdes serbi në Ranillug

Policia e Kosovës në Ranillug, dje rreth orës 13:30, është njoftuar për një aksident në fshatin Domoroc, komuna Ranillug.

Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se derisa viktima, serb shtetas i Kosovës (1960), ka qenë duke drejtuar traktorin e tij, në një moment ka humbur kontrollin mbi mjetin që e drejtonte duke u rrokullisur jashtë rrugës.

“Disa persona që kanë qenë në vend të ngjarjes si dëshmitarë, e kanë dërguar me urgjencë viktimën e lënduar rëndë në ambulanten e Ranillugut ku, edhe përkundër përpjekjeve të mjekut kujdestar, ai ka mundur vetëm ta konstatoj vdekjen e tij, si pasojë e plagëve të marra në vet-aksident”, thotë Policia e Kosovës, raporton Koha.net.

Ekipi i Policisë së Kosovës nga hetimet rajonale ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka mbledhur informacione nga dëshmitarë okularë.

Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë i të ndjerit t’u dorëzohet familjarëve. Rasti i kompletuar dorëzohet në Prokurori.