Kronikë

Zbulohen 123 kg kanabis në Tepelenë, një i arrestuar

Zbulohen 123 kilogramë lëndë narkotike dhe vihet në pranga një person në Tepelenë, ndërsa ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për një tjetër, transmeton NOA.

Gjatë pasdites së djeshme, pas informacioneve se Seit Bejko dispononte lëndë narkotike në banesën e tij në fshatin Dukaj, Tepelenë, u zhvillua operacioni i koduar “Vjosa”.

Si rezultat i operacionit, nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë u gjetën disa thasë, brenda të cilëve kishte lëndë narkotike, ku pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 66 kilogramë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që 58-vjeçari Seit Bejko u vu në prangat e policisë.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës për 83-vjeçarin

Z.B., 83 vjeç, banues në fshatin Gusmar, Tepelenë.

Në një banesë të tij në fshatin Gusmar, në të cilën i moshuari nuk banonte aktualisht, nga shërbimet e policisë u gjetën disa thasë me lëndë të dyshuar narkotike.

Pesha totale e lëndës ishte 57 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Lidhur me këto raste materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.