Kronikë

Arrestohen 4 shqiptarë në Itali, në banesat e tyre u gjetën 322 kg drogë

Katër shtetas shqiptarë të moshës nga 23 në 33 vjeç, kanë përfunduar në prangat e policisë italiane, pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike.

Mediat italiane shkruajnë se operacioni është ekzekutuar në lagjet periferike të kryeqytetit Romë, në Casiilna, Boorghesiana e Fontana Cnadida, transmeton Shekulli. Gjithashtu bëhet e ditur se në banesat e tyre u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 322 kilogramë marihuanë.

Të katër shqiptarët e arrestuar janë pa leje të rregullt qëndrimi në Itali e nuk figurojnë të dënuar më parë nga policia italiane.

“Arrestimi i tyre erdhi si rezultat i shtimit të kontrollit në territor e identifikimit të një lokali të frekuentuar nga shqiptarët e nga disa persona të lidhur më botën e drogës”, njofton policia italiane.

Kjo e fundit ka shtuar se në 2 banesën ku jetonin shqiptarët në lagjen Fontana Candida janë sekuestruar rreth 322 kg marihuanë si dhe para të thata.

Lënda narkotike e sekuestruar ishte e destinuar të trafikohej në të gjithë territorin e Romës.

Ndërkohë katër të arrestuarit shqiptarë ndodhen në burgun Regina Coeli të Romës nën akuzën e trafikut të drogës të tipit marihuanë.

Ende nuk janë bërë të ditur identitetet e të ndaluarve.