Kronikë

Përplasen dy makina në Dobërdol, njëra godet për vdekje këmbësorin 59 vjeç

Policia e Kosovës njofton se sot rreth orës 12:00, në fshatin Doberdol të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë një person (këmbësor) ka vdekur.

Sipas PK-së, në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje, vetura e tipit “Audi Q7” dhe vetura e tipit “Golf II”, të cilat fillimisht janë ndeshur mes vete, më pas njëra nga veturat ka goditur këmbësorin, i cili nuk ka mundur t’u përballojë plagëve të marra dhe i njëjti ka ndërruar jetë.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje. Lidhur me këtë aksident dy ngasësit e automjeteve, V. D mashkull 36 vjeç dhe A. A. mashkull 27 vjeç, janë shoqëruar në stacionin policor, dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

Ndërsa trupi i viktimës Sh. G. mashkull, 59 vjeç, është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia thotë se vetëm në shtatë mujorin e parë të këtij viti, në rajonin e Prishtinës janë raportuar 4.438 aksidente trafiku prej tyre: 16 Aksidente trafiku me pasoja fatale me 19 persona të vdekur; 1.377 Aksidente trafiku me 2781 persona të lënduar, si dhe 3.045 Aksidente trafiku me dëme materiale.

“Andaj duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale dhe të personave të lënduar, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik”, thuhet në thirrjen e Policisë së Kosovës.