Kronikë

Dalin pamjet e tentim-vrasjes te “Komuna e Parisit”, arrestohen 4 të dyshuar

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në saje të një hetimi të mirëfilltë disa ditor, me metoda speciale të hetimit, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të tentativës së vrasjes të ndodhur më datën 03.08.2017 në rrugën “Sulejman Delvina” te Komuna e Parisit, Tiranë.

Falë këtyre veprimeve të shpejta e profesionale u bë e mundur lokalizimi i personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Mbi bazën e punës dhe provave të grumbulluara, Sektori Kundër krimeve të Rënda ndaj jetës në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Poker”, ku u bë arrestimi i shtetasve të mëposhtëm, të cilët fshiheshin në qytetin e Vlorës dhe konkretisht:

- D. Rr.,( në rolin e ekzekutorit ), 27 vjeç, banues në Tiranë.

- K. K., ( në rolin e bashkëpuntorit ), 27 vjeç, banues në Tiranë.

- I. Q., ( në rolin e bashkëpunëtorit) 26 vjeç, banues në Bulqizë.

- A. Xh., ( përkrahës i autorit të krimit), 31 vjeç, banues në Tiranë.

“Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë i mundur pasi më datë 03.08.2017, rreth orës 19:40, në rrugën “Sulejman Delvina”, shtetasi D. Rr., duke lëvizur me mjetin tip “BMW X5”, së bashku me shtetasit K. K., dhe I. Q., për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Benz”, ku ka mbetur i plagosur në shpatull, shtetasi M. H., 25 vjeç, i njohur ndryshe si L. H, jashtë rrezikut për jetën”, thotë Policia e Shtetit.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjeti tip “BMW X5” dhe 3 aparate celularë.

“U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor për shtetasit Dejvis Rrustemaj, K. K. dhe I. Q. për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal dhe për shtetasin A. Xh., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit”, ka përfunduar njoftimin e saj Policia e Shtetit.