Kronikë

Ivanoviq nuk e përjashton mundësinë që Lista Serbe ta shohin atë si armik

Lideri i Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, u shpreh se incidenti i djegies së automjetit të tij që ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit, është i motivuar politikisht.

Në një deklaratë për KosovaPress, Ivanoviq ka hedhur akuza të ashpra ndaj Policisë dhe faktorëve tjerë relevantë të sigurisë, duke thënë se nuk ka besim fare tek Policia e Kosovës.

Sipas tij, Policia e Kosovës asnjë rast të vetëm të kësaj natyre nuk ka arritur ta zgjidhë deri tani, ndërsa ka përjashtuar mundësinë që autori ose autorët e këtij incidenti të jenë shqiptarë.

Ivanoviq tha se nëse edhe EULEX-i nuk arrin të ndriçojë rastin, atëherë do të ikin nga këtu, sepse është mision shumë i shtrenjtë që po iu kushton qytetarëve të Evropës.

“Unë nuk merrem me ndonjë biznes, as legal dhe aq më tepër ilegal. Nuk kam asnjë armik personal. Nga procesi kam dalë si njeri që ka fituar shumë miq, jam vërtetuar se kam shumë miq në mesin e shqiptarëve… Andaj, nga kjo mund të nxjerrim vetëm një përfundim, se ky akt mund të jetë i motivuar politikisht. Kam njerëz me të cilët nuk mendoj njëjtë dhe mendimet, si dhe qëndrimet e mia i them publikisht. Me gjasë, jo gjithkujt i konvenon ajo që unë flas”, ka thënë Ivanoviq.

“Dy ditë më herët i është djegur vetura e Dragisha Milloviqit, ndërsa ai do të jetë kandidati ynë në Zveçan. Prandaj, unë mund të përfundoj se bëhet fjalë për dikë i cili dëshiron të na eliminojë nga gara politike, sepse zgjedhjet janë paralajmëruar me datën 22 tetor”, tha Ivanoviq.

Në lidhje me raportet e tij me përfaqësuesit e Listës Serbe, Ivanoviq nuk përjashtoi mundësinë se këta të fundit mund ta shohin atë si armik, por ky ata jo, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë.

Ai theksoi se është për keqardhje që edhe pas 18 vitesh pas luftës, situata e sigurisë në veri të jetë e brishtë dhe qytetarët të mos ndjehen të sigurt.

“Unë përfaqësuesit e Listës serbe nuk i shoh si armiq, ndoshta ata mua po, por unë ata jo. Mund të mos pajtohemi për disa gjëra, nuk jam i kënaqur me pamjen e qytetit, do të kisha dëshirë që qyteti të dukej shumë më mirë dhe më i rregulluar. Do të jetë pika numër një çështja e sigurisë, sepse kjo që më ka ndodhur mua, si dhe doktorit të respektuar dy ditë më parë në Zveçan, mund t’i ndodhë çdokujt. Prandaj, në kushte të tilla ne nuk mund t’i rrisim fëmijët tanë”, ka thënë Ivanoviq.

Ai ka shtuar tutje se “këtë do të duhej ta zgjidhte Policia e Kosovës, por unë nuk jam i sigurt se ata janë mjaftueshëm profesionalë dhe as që kanë vullnetin ta zgjidhin këtë incident”.

“Nëse këtë nuk e zgjidhë policia e Kosovës, atëherë duhet ta zgjidhë EULEX-i, dhe nëse as kjo e fundit nuk e zgjidhë, atëherë duhet të shkoj, sepse është mision shumë i shtrenjtë të cilin e paguajnë qytetarët evropianë. Nëse edhe EULEX-i nuk dëshiron ta zgjidhë këtë, atëherë duhet që KFOR-i ta bëjë një punë të tillë. Më vjen keq që duhet të them se edhe pas 17 vitesh, populli ynë këtu nuk ndjehet i sigurt. Përgjigjja e vetme në këtë është një, përkatësisht lufta e ashpër kundër gjërave të tilla. Nëse në dy-tre metra katrorë nuk mund të sigurohet një rrugë ose një automjet, atëherë për çfarë sigurie në mund të flasim pas 17 ose 18 vitesh nga viti 1999”, ka thënë Ivanoviq.

Ivanoviq ka thënë se nuk të konstatojë, por është shprehur i sigurt se autori nuk është shqiptar, sepse është në qendër të veriut të Mitrovicës.

“Thjesht e përjashtoj një mundësi të tillë”, ka thënë Ivanoviq.

Vetura e Oliver Ivanoviqit është djegur sot në orët e hershme të mëngjesit në veriun e Mitrovicës.