Kronikë

Vdes një grua në lagjen “Mati 1” të kryeqytetit

Gjatë ditës së sotme, në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, gjegjësisht në rrugën “Muharrem Fejza”, është raportuar për një person pa shenja jete.

Mësohet se viktima është e gjinisë femër, ndërsa ka qenë duke udhëtuar me një autobus të trafikut urban, ku, sipas informatave jozyrtare, ajo nuk është ndierë mirë dhe ka kërkuar që të zbres.

Jozyrtarisht mësohet se pas daljes nga autobusi, ajo është rrëzuar duke mbetur pa shenja jete.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, për Koha.net ka konfirmuar rastin, duke thënë se të gjitha njësitet relevante shtetërore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Në lidhje me rastin e raportuar sot për personin pa shenja jete në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ju informoj se në vendin e ngjarjes kanë dal menjëherë ekipet relevante policore, Prokurori kompetent, Mjekësia Ligjore, dhe zyrtarë tjerë kompetentë, përderisa Mjekësia Ligjore e ka tërhequr trupin e pajetë nga vendi i ngjarjes dhe e ka dërguar në institutin e mjekësisë ligjore”, ka thënë Hoxha për Koha.net.

Zëdhënësi i PK-së, Hoxha, ka thënë po ashtu se detajet e vdekjes nuk dihen derisa të kryhen procedurat hetimore dhe ato mjekoligjore, ndërsa për çdo informatë apo detaj tjetër do të njoftoheni me kohë.