Kronikë

Apeli i Policisë: Kujdes nga mashtruesit

Policia e Kosovës, Njësia e hetimeve e stacionit policor të Gjilanit, ka pranuar një ankesë nga ankuesi, shqiptar shtetas i Kosovës, i cili ka raportuar se një person ka shkuar te shtëpia e ankuesit dhe ia ka kërkuar 150 € kinse ka bërë aksident dhe i nevojiten të hollat.

I dyshuari, sipas Policisë, është paraqitur se është i njohshëm i ankuesit duke e mashtruar dhe me lajthitje arrin ta mashtroj ankuesin duke ja marrë të hollat.

Përmes një njoftimi, policia bën me dije se këto janë raste që kohëve të fundit po paraqiten nga qytetarë të ndryshëm.

“Para dy ditëve, në qytetin e Gjilanit është arrestuar një i dyshuar nga Komuna e Podujevës, që përmes mashtrimit se kinse e kishte një familjar të sëmurë, u merrte para personave duke kërkuar nëpër shtëpi, i njëjti është arrestuar dhe ndalur në mbajtje për 48”, thuhet në komunikatën e policisë së rajonit të Gjilanit.

Policia e Kosovës porosit që në asnjë rrethanë qytetarët mos të bien pre e këtyre mashtrimeve duke u dëmtuar materialisht, në raste të tilla menjëherë të lajmërohet Policia e Kosovës përmes numrit 192 i cili është në shërbim njëzet e katër orë.