Kronikë

Në Shqipëri arrestohet “baroni i drogës”

Descriptive Text

Alket Hatija, 44 vjeç, është arrestuar nga policia shqiptare pas të dhënave të karabinierëve të Milanos, që e kërkonin në kuadër të një dënimi në mungesë me 20 vjet burg.

Ishte një ndër baronët e mëdhenj të drogës, në gjendje të dërgonte qindra kilogramë heroinë dhe kokainë nga Shqipëria në Itali.

Agjentët shqiptarë e kanë arrestuar në Durrës, teksa Hatija po shkonte të takonte një mikun e tij. Një mundësi kjo për të mos u humbur, duke qenë se 44-vjeçari jetonte në një vilë me bunker në Berat dhe rrethohej gjatë gjithë kohës nga truproja të armatosura.

Ai akuzohet për transportimin në Milano, në periudhën 2003-2004 të 350 kilogramëve heroinë dhe 190 kg kokainë. Ngarkesa këto me vlerë 35 deri në 45 milionë euro.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera nga karabinierët ka rezultuar se Hatija ishte një trafikant “i pastër”, që nuk prekte një gramë drogë me dorë, por që falë telefonave celularë njëpërdorimësh lëvizte sasi madhore.